Jakup Krasniqi: Mbreti shpesh qëllon të jetë kryemashtruesi e kryebanditi

E publikuar: 24/12/2016 12:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Jakup Krasniqi

Sesi m’u kujtua ajo rrëfenja për plakun e urtë, i cili, për t’i treguar të birit se vlerën dhe gjënë e çmuar nuk mund ta dijë mbathësi i gomarëve, i dha birit një gur diamanti. Djali shkoi te mbathësi i gomarëve dhe i tha: “E kam një gur për ta shitur, sa po e merr?” Mbathtari i tha: “A nuk po e sheh sa gurët i kam përreth?” Djali u kthye në shtëpi dhe i tha të atit: “Mbathtari i gomarëve më tha se gurë kishte me bollëk.” “Mirë”, i tha Plaku i urtë, “tash shko te argjendari, madje provo te disa argjendarë.”

Djali e mori diamantin dhe shkoi te argjendari i parë. E pyeti: “Dëshironi ta bleni këtë gur diamnati?” Argjendari e mori gurin dhe e shikoi me syrin e një gjahtari diamantësh. “Po”, tha,“t’i jap 200.000 euro për të.” Djali vazhdoi te i dyti. Edhe ai e vlerësoi dhe i oforoi 300.000 euro. Djali nuk pranoi dhe vazhdoi rrugën te tjetri. I treti i tha:“Ky diamant është i rrallë, nga unë i ke 500.000 euro.” Në fakt, i treti e vlerësoi aq sa ishte vlera e vërtetë e tij. Djali nuk e shiti dhe erdhi i tregoi babait atë që i kishte ndodhur.

Plaku i tha djalit: “Biri im,vlerën e çmon vetëm ai që e njeh pa hile dhe e pranon si të tillë! Të tjerët, ose nuk dinë, ose janë mashtrues. Këta të fundit janë me shumicë në fisin tonë o bir, prandaj mos prit të të vlerësojë i pavleri edhe nëse ai është mbret! As shkolla nuk të bën as njeri e as mbret. Duhet ta kesh cungun biri im për t’u bërë udhëheqës i fisit! Në fisin tonë, biri im, ka shumë mohues të vlerave. Sundimtarët e huaj na i lanë disa zakone të liga biro! Duhet të rrish sa ma larg tyre!…”

Plaku e shikoi të birin se po e dëgjonte me vëmendje, ndaj vazhdoi:

“Shpesh ndodh që edhe mbreti të jetë kryemashtruesi, mbase edhe kryebanditi! Fisi i mençur duhet të ketë kujdes se kë po e vendos në kryevend! Vështirë e ka fisi të shohë përparim e drejtësi! Në kuvende e pleqni, biri im, fisi duhet ta dërgojë më të mirin mashkull, më të mençurin, më të guximshmin dhe më të palakmueshmin. Se vetëm të tillëve fjala u ka peshë dhe u zë vend. Lakmia, kajta, e prish burrin… Fisi ynë, biri im, e ka besën, e ka fjalën me peshë. ‘Po-ja qare dhe Jo-ja qare’, kanë thënë qyshkur të moçmit, biro! Sikurse që thoshin për Xhemajl Abrinë, i cili kurrë s’e merrte kajtën me vete kur shkonte në kuvende. Dhe kullat që ngriste kudo në vatanin tonë nuk ia shembte asnjë tërmet! Drejtësia i duhet fisit, biri im! Pa drejtësi na merr pusi, na merr Drini! Dhe, mos harro kryesoren: nga një kollomoq bëhet edhe në bajgë kali!”

Kështu, plaku i urtë, i dha një mësim të mirë të birit! I dha një mësim jete që reflekton çuditërisht edhe në ditët tona!