Jakup Krasniqi: Ah! Sikur ta kishim problem vetëm “zajednicën”

E publikuar: 25/08/2015 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jakup Krasniqi

Ka kohë që në jetën tonë shoqërore e politike na bëhen tema qendrore, ato që nuk do të ishin të tilla. Pa dyshim që e gjithë kjo bëhet për t’ju ikur problemeve kryesore të vendit e të njerëzve tanë. Dhe nuk mund të jetë ndryshe në një shoqëri, ku edhe për çështjet më madhore nuk vlerësohen veprimet konkrete, por edhe punët më të pista të jetës politike mbulohen me deklarime të një patriotizmi deklarativ për të mos thënë banal?! A ju kujtohet sesi njëra nga datat kryesore te UÇK-së, është e fjalëve e jo e pushkëve të Lirisë?! Ky ishte vetëm një digresion.
Pas Gjykatës Speciale e cila dorën në zemër, nuk është problem i vogël politikë e pastaj listave se kush mund të ishin të ndjekurit nga ajo gjykatë, tani në rend të ditës ka ardhur Asociacioni i Komunave serbe. As kjo çështje nuk është problem i vogël politik, por pasojat e plota të tij do të dihen më vonë. Që të dy këto probleme e kanë një histori gati pesë vjeçare. Më konkretisht e para, fillin e ka të Raporti i Dick Martit të miratuar nga KE, ndërsa e dyta me fillimin e Bisedimeve “teknike” me ndërmjetësimin e Brukselit. Që në fillimin e tyre, me asnjërën nga këto çështje, politika e jonë nuk është marrë seriozisht, madje as nuk ka zhvilluar një debat serioz, fatkeqësisht jo vetëm për këto dy çështje.
Të dalim aty edhe për ku u nisa, të “Zajednica” e komunave serbe, te Asociacioni i komunave. Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Nëse asociacioni nuk do të kishte kompetenca ekzekutive, cila do të ishte arsyeja të bisedohet në Bruksel kur kjo çështje është biseduar në Vjenë, e cila çështje është e sqaruar mirë në Dokumentin e Presidentit Ahtisari? Ne e kemi një asociacion të komunave të përshkruar në ligje dhe Kushtetutë! Konsideroj që problemi nuk është vetëm ke asociacioni, por të e tërë (Mos) Marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe miratimi i saj në Kuvend më ma tepër se 80 vota të deputetëve të Kuvendit tonë. Pra problem nuk është asociacioni, problemi është të ata që e hapën Dokumentin gjithëpërfshirës për zgjedhjen e statusit politikë të Kosovës të njohur si Dokumenti i Presidentit Ahtisari dhe mbi të gjitha, të hapja e bisedimeve politike me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës!
Pra, nëse bëjmë një krahasim në mes të bisedimeve të Rambujesë e të Vjenës ku janë biseduar çështjet e “brendshme” të Serbisë, të cilat bisedime natyrshëm e kanë sjellë Pavarësinë e mbikëqyrur ( te cilën një herë e hoqëm e sivjet e rikthyem në katror), në bisedimet e Brukselit është biseduar për çështjet e brendshme të Kosovës dhe Kosova nuk mund të ishte fituese. Fitorja e këtyre bisedimeve, fatkeqësisht po i nënshkruhet Serbisë!.
Andaj o duhet të merremi me problemin si tërësi ose nuk duhet të merremi fare?! Se (mos) Marrëveshja e Brukselit do të vazhdoj të hapë edhe tema të tjera, si janë pasuritë nëntokësore e ujore te Kosovës?! Mbasi mund të flitet edhe për një sovranitet të dyfishtë?! Me këta qeveritarë, që punë e konsiderojnë vetëm punësimin e familjarëve të tyre apo dhënien e tenderëve bijve të tyre, ditë të vështira e presin vendin! Qofsha i gabuar!