Jahjaga përkrah reformat në Universitetin e Prishtinës

E publikuar: 04/09/2015 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu nga i cili u njoftua për procesin e reformave të ndërmarra në këtë institucion të lartë arsimor dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, njofton kumtesa nga presidenca.

Presidentja Jahjaga përgëzoi rektorin Zejnullahu dhe shprehu përkrahjen e saj për dinamikën e reformave për të ngritur cilësinë në Universitetin e Prishtinës dhe për qasjen parimore që synon përmirësimin e gjendjes kadrovike në këtë institucion dhe ruajtjen e autonomisë së tij.

Presidentja Jahjaga theksoi se Universiteti i Prishtinës duhet të jetë shtylla kryesore e rigjenerimit të vlerave të shoqërisë tonë, që siguron ndërtimin e vazhdueshëm të kapacitetit profesional dhe që garanton përmirësimin dhe rimëkëmbjen e vendit.