Jahjaga: Nxitësit e urrejtjes do të refuzohen nga qytetarët

E publikuar: 20/02/2016 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se biseduar nëpërmjet telefonit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike, për ta siguruar ambasadorin Delawie dhe të gjithë diplomatët amerikanë që shërbejnë në vendin tonë, që institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë krenarë me miqësinë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe mbesin të palëkundur në përkushtimin e tyre për ta forcuar dhe avancuar bashkëpunimin dhe partneritetin me SHBA-në dhe për t’i jetësuar në Kosovë vlerat dhe idealet që shumica absolute në vend duam t’i ndajmë me demokracinë amerikane”, ka shkruar Jahjaga.

Duke shprehur keqardhje për përpjekjet e disa individëve për peticion kundër ambasadorit Delawie, Jahjaga ka thënë:

“Shpreh keqardhje për veprimet e një pakice margjinale. Kosovarët janë të vetëdijshëm që pas një kohe shumë të gjatë dhe gjeneratave të tëra që janë shuar në përpjekje për të arritur ëndrrën për një jetë më të mirë, jemi në anën e drejtë të historisë. Ju siguroj se në këtë anë do të mbesim”.

“Ata që mendojnë që mund të nxisin frymë të urrejtjes në Kosovë dhe harrojnë lehtësisht një të kaluar aspak të largët, të jenë të sigurt se një gjë të tillë do ta refuzojnë me përçmim qytetarët e Kosovës”, thuhet në fund të të postimit të presidentes Jahjaga.