Jabllanoviq: Nuk shkoj në Gjakovë

E publikuar: 18/05/2015 09:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i listës “Srpska”, Aleksandër Jabllanoviq, ka deklaruar në Mitrovicë, të dielën, se nuk do të paraqitet në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, më 22 maj, për aktakuzën që ndaj tij ka ngritur Prokuroria Themelore e Gjakovës, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe për shqetësim dhe jotolerancë”, shkruan Zëri.

Jabllanoviqit, i cili ka qenë ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, i është dërguar thirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, në cilësinë e të akuzuarit, më 12 maj.

Në një prononcim për mediet në veri, Jabllanoviq ka vlerësuar se prokurori ka luajtur me kompetencat dhe me punën e tij dhe se nuk sheh se mbi çfarë baze e ngarkon prokurori, përveç, siç ka thënë ai, “nëse për bazë i ka marrë nënshkrimet e rreth 12 mijë qytetarëve të Gjakovës, të cilët kërkojnë që ai për diçka të ngarkohet”.

Jabllanoviq është zotuar se nuk e ka fare ndërmend që ta dëshmojë pafajësinë e tij për këtë rast para Prokurorisë së Gjakovës, sepse siç tha ai, “Gjakova është qyteti ku nuk ka qenë asnjëherë”.

“Nga ana tjetër, unë nuk iku nga shkuarja ime në Gjakovë dhe kjo nuk është kurrfarë tabu temë, por shkuarja ime në Gjakovë për një aktakuzë dhe rast të konstruktuar, nuk do të ndodhë, lë të jeni të bindur, sepse nuk dëshiroj që në atë mënyrë dikujt t’i jap material dhe municion, e as që ta nxisë popullatën lokale të Gjakovës për protesta të reja, për të cilat përsëri unë do të paditem”, ka thënë Jabllanoviq.

Kryetari i listës “Srpska”, Aleksandër Jabllanoviq, ka siguruar se kurrë nuk ka ftuar askënd për protesta e as për ngritje të tensioneve dhe prishje të qetësisë.

“Ata që kanë bërë thirrje për jo qetësi dhe për protesta kanë emër e mbiemër. Ata janë njerëz nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ dhe AAK-ja, ata janë Albin Kurti e Ramush Haradinaj. Për çfarëdo dhune, ngritje tensionesh dhe për secilën mostolerancë që ka ndodhur, e që si shkas është marrë deklarata ime e dhënë në Zoçishtë të Rahovecit, përgjegjës janë dy persona dhe opsionet e tyre politike, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti”, ka precizuar Jabllanoviq.

Ai theksoi se nuk ndihet fare i frikësuar, as ai e as bashkëpunëtorët e tij, dhe se përherë do të flasë për problemet e serbëve, për sulmet ndaj tyre dhe nuk do të lejojë kurrë që siç ka thënë ai, “kriminelët dhe krimet ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të mbesin pa u dënuar”.

“Gjithmonë do t’i gjykoj sulmet mbi serbët, unë edhe sot mendoj se ata që atë ditë i kam quajtur me atë emër në Gjakovë, egërsira, e që kanë qenë një grup i njerëzve, disa nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, janë të tillë, e çdo respekt kam për të gjithë qytetarët tjerë të Gjakovës dhe për të gjitha familjet që kanë familjarë të zhdukur gjatë luftës, si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët, romët, boshnjakët”, ka deklaruar ai, të dielën.

Ndryshe, Aleksandër Jabllanoviq, është shkarkuar nga posti i ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë kosovare pas protestave të shqiptarëve në Prishtinë kundër Qeverisë së Kosovës, ndërsa një prej kërkesave ka qenë shkarkimi i Jabllanoviqit.

Reagimet e politikanëve kosovarë, shoqërisë civile, shoqatave të dala nga lufta dhe studentëve kundër Jabllanoviqit patën ardhur pas deklaratës së tij në një kremte fetare në Manastirin e Zoçishtës së Rahovecit, kur një grup i qytetarëve të Gjakovës, të cilët kishin penguar të zhvendosurit serbë të Gjakovës që të kremtojnë në qytetin e tyre, ndërsa autobusin e tyre e kishin gjuajtur me gurë, i kishe quajtur egërsira.