Ja si rrjetet sociale ndihmojnë në diagnostikimin e çrregullimeve psikike

E publikuar: 17/01/2018 21:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më thuaj se si shkruan në Twitter, të të them se nga cili çrregullim vuan: sipas një studimi të National Tsing Hua University në Tajvan, është e mundur të diagnostikohen disa patologji duke analizuar mënyrën se si përdoruesit i përdorin rrjetet sociale. Në veçanti, shenjat e një çrregullimi bipolar mund të shihen që një vit para manifestimit të sëmundjes.

Kjo patologji – shpjegojnë kërkuesit e National Tsing Hua University në Tajvan, karakterizohet në fillim nga simptoma si fjalët e shumta, problemet me gjumin, ndryshimet e shpeshta të humorit dhe shumë përdorues ndajnë në rrjetet sociale gjendjen e tyre, duke përfshirë këtu dhe diagnozën.

Studiuesit analizuan 10 mijë tweet-e nga viti 2006 deri më 2016 tek më shumë se 400 persona që ishin diagnostikuar me çrregullim bipolar, duke i krahasuar me 400 përdorues të tjerë të rastësishëm. Grupi i studiuesve analizuan përmbajtjen, shpeshtësinë, orarin e postimeve, duke ekzaminuar edhe ndryshimin në kohë. Nëpërmjet përdorimit të një algoritmi u bë e mundur analizimi dhe dallimi i personave që vuanin nga çrregullimi bipolar nga ata të shëndetshëm.

“Tweet-et e një personi që vuan nga një çrregullim bipolar mund të japin mjaft informacione mbi gjendjen mendore – lexohet në studim. Këta persona – në mënyrë të pandërgjegjshme – po krijojnë një bazë të dhënash që mund të përdoren për të marrë disa informacione. Me siguri që çrregullimi bipolar nuk është i vetmi problem mendor që mund të identifikohet”.

Studimi i Universitetit të Tajvanit nuk është i pari studim që zhvillohet nëpërmjet analizës së rrjeteve sociale: disa kohë më parë, Universiteti i Harvardit dhe Universiteti i Vermontit publikuan një studim sipas të cilit Instagram mund të ndihmojë në diagnostikimin e depresionit. Në veçanti, përdorimi i filtrave për të modifikuar fotot tregon një çrregullim mendor.
Rrjetet sociale janë të nevojshme për diagnoza por shpesh janë edhe shkaku i shqetësimeve: sipas Universitetit të Houston, Facebook dhe rrjetet e tjera sociale mund të na shkaktojnë depresion dhe ankth. /Monitor