Ja sa shtëpi e vila i ka Agim Çeku në Kroaci

E publikuar: 07/06/2015 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Miti i asaj që Agim Çeku ka shtëpi e vila në Kroaci si rezultat i pjesëmarrjes në luftën e Kroacisë, tashmë është shuar. Ai ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencionit Kundër Korrupsionit ku shihet qartë se sa shtëpi i ka edhe në Kosovë.

Ai ka një banesë me 91.42 metra katrorë, e blerë nga Ministria e Mbrojtjes në Republikën e Kroacisë në vitin 1995, me vlerë 90.000 mijë dhe një shtëpi për pushim me oborr në Kroaci, e blerë në vitin 1997 me hapësirë 805 metra katrorë me vlerë 60.000 euro, transmeton Indeksonline.

Te pasuritë e paluajtshme ai ka deklaruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 1.684 metra katrorë me vlerë 200.000 euro dhe shtëpi tjetër banimi të përbashkët me familjen dhe të trashëguar nga prindi me vlerë 100.000 euro, tokë bujqësore me vlerë 30.000 euro – të gjitha këto në Kosovë – duke iu bashkangjitur edhe banesa e shtëpia e lartpërmendur në Kroaci.

Pasuri të luajtshme Çeku posedon një veturë VW Golf me vlerë 3.500 euro. Ndërsa para të gatshme në llogari bankare ai ka 6.000 euro. Por, ka edhe një kredi me vlerë 8.000 euro e marrë me kohëzgjatje të kthimit për dy vite.

Të hyrat vjetore të Çekut janë nga paga mujore si deputet me shumë vjetore 18.000 euro, pensioni nga TMK (Trupat Mbrojtëse të Kosovës) me shumë 6.720 euro, pensioni që merr nga Ministria e Mbrojtës së Kroacisë me shumë 12.000 euro dhe mëditje nga Komisioni i Veteranëve si kryetar, me shumë 720 euro.