Ja pse po kërkohet paraburgim për një serb

E publikuar: 05/06/2020 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit D.P. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Ngacmimi’’.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 4 maj i dyshuari D.P. (i nacionalitetit serb), me dashje dhe me qëllim të frikësimit, ka shqetësuar  të  dëmtuarin Z.S. ( të nacionalitetit serb) – toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës – ashtu që  përmes rrjetit social ‘’Facebook’’ ka publikuar fotografi të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit në uniformë dhe me flamuj të FSK-së me ç’rast pas këtij publikimi i dëmtuari ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes.

I dyshuari këtë postim e kishte larguar nga rrjeti social pas një ore, mirëpo i dëmtuari prapë ka vazhduar që të pranonte mesazhe kërcënuese, ku me këto veprime ka nxitur urrejtje, duke shkaktuar tek i njëjti frikë dhe shqetësim të madh për jetën e tij dhe të familjes.

I dyshuari D.P. me aktvendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh.