Ja pse mund të dështojë konstituimi i Kuvendit në datën e caktuar nga Thaçi

E publikuar: 13/12/2019 08:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Data 24 dhjetor mund të mos jetë ‘shpëtimi’, për të dal nga kriza e thellë institucionale në vend.

Mos arritja e një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës para kësaj date do të mund të dërgojë drejtë dështimit konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka 61 votat e duhura, atëherë seanca e thirrur për konstituim të martën e 24 dhjetorit, do të mund të filloj e mbaroj pa zgjedhjen e kryeparlamentarit e të nënkryetarëve.

Të paktën kështu thotë njohësi i çështjeve kushtetues në vende Blerim Burjani.

“Me 24 dhjetor nëse nuk ka marrëveshje për koalicion do te këtë vetëm konstituimi asgjë tjetër nuk mund të ndodh. Pra, seanca ndërpritet pasi që pa votat e duhura nuk mund të vazhdojë. Pa këto vota nuk mund të zgjidhet as kryeparlamentari e nënkryetarët e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka 61 votat e duhura si fituese e zgjedhje”.

Në përgjigjen e dhënë për arbresh.info, Burjani shpreson që mos të përsëritet gjendja e vitit 2014 , ngërçi politik.

“Të shpresohet se koalicioni do të ketë sukses në themelim përmes një marrëveshje. Nuk do të ishte aspak i dobishëm konfirmimi i gjendjes së vitit 2014. Pra, i ngërçit të sërishëm politik në vend. Kësaj here do të jetë më vështirë shumë, për shkak se VV nëse nuk do të bëjë një koalicion me LDK-në, shtetin e dërgon në zgjedhje. Kur dihet se procedurat janë të qarta kushtetuese, ndoshta më mirë është të mendohet për një opsion tjetër me një qeveri teknike të ekspertëve të pavarur për të bërë bërë reformën zgjedhore se bashku me partitë, dhe reforma sektoriale”.

Se mos arritja e një marrëveshje mes VV-së LDK-së deri më 24 dhjetor do të jetë problem për konstituim të Kuvendit e thotë edhe Riza Smaka, profesor universitarë.

Në një përgjigje dhënë për arbresh.info, Smaka, deklaroi se do të jetë problem konstituimi i Kuvendit përderisa s’ka vota të sigurta.

“Presidenti së pari është vonuar të thërrasë këtë seancë. Mirëpo procedura e konstituimit të Kuvendit është e pafavorshme në raste se nuk ka marrëveshje paraprake mes VV-së e LDK-së. Aty do të marrin pjesë të gjithë deputetët, por në kohën kur zgjidhen do të këtë problem. Mund të bëhet konstituimi edhe pa koalicion, por për këtë ju duhet të kenë marrëveshje paraprake me partitë që të votojnë kandidatët për të udhëhequr me Kuvendin. Mund të ndodh që të dështojë krejt seanca konstituive”, ka përfunduar Smaka.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive për të martën e 24 dhjetorit.

Deri atëherë dy partitë të cilat janë në diskutime për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje kanë kohë që të arrijnë pajtueshmëri për të drejtuar ekzekutivin.

Posti i Presidentit në të cilin po insiston LDK-ja, po mbanë pezull një dakordim të plotë, derisa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka garantuar në arritjen e një marrëveshjeje pa sqaruar tolerimet e mundshme të dyja palëve.