Ja kur do të bëhet me pagesë autostrada Prishtinë- Morinë!

E publikuar: 16/01/2016 10:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, e cila do të botohet pas pak orësh, ndër të tjera ka folur edhe për bërjen me pagesë të autostradave në Kosovë. Ai në këtë intervistë kur është pyetur për këtë çështje ka theksuar, se nuk pritet që të paktën edhe dy vjet autostrada të bëhet me pagesë.

Sipas tij, kur të përfundoj edhe autostrada për Shkup, pas dy vjetësh, atëherë do të bëhet me pagesë hyrja në autostradë.

Kjo është përgjigja e plotë e dhënë për Gazeta Blic, në lidhje me atë se a do të bëhet me pagesë autostrada Prishtinë- Vërmicë:

Qëllimi im ka qenë që së pari të shoh zhvillimet në koncesionimin e autostradës “Rruga e Kombit” nga ana e Shqipërisë. Fatkeqësisht atje e kemi parë se ka pasur shumë telashe. Është anulu tenderi për koncesionimin e asaj autostrade. Sa i përket pjesës sonë, në planin afatmesëm, pra për një ose për dy vjet nuk mundemi ta rregullojmë këtë çështje, përkundër asaj që ka interesim të kompanive të huaja që ta marrin me koncesionim autostradën. Pjesën nga Gjurgjica e deri në Morinë që janë 60 do të mundemi ta bëjmë me pagesë, derisa pjesa tjetër nga Gjurgjica në Prishtinë do të duhej ta kishim një rrugë alternative që qytetarëve tanë t’u ofrohet edhe varianti pa pagesë, e jo t’i detyrojmë që të paguajnë. Në anën tjetër, po presim që të përfundohet edhe autostrada për Shkup që të kemi një lidhshmëri të autostradave, në mënyrë që ta kemi një koncesionim më të mirë, se sa ta kemi vetëm për 60 kilometra autostradë.