Ja çfarë thoshte i arrestuari i Badovcit për sulmet e ISIS në Kosovë (VIDEO)

E publikuar: 14/07/2015 16:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njëri nga pesë të arrestuarit e rastit të “Badovcit”, të cilëve dje iu caktua një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka folur, pak kohë më parë për ISIS dhe kërcënimet e shtetit islamik ndaj Kosovës.

Klan Kosova transmeton se Fehmi Musa, në një intervistë për Kallxo.com, duke komentuar deklaratat e dhënë në një video të punuar nga shteti islamik, kishte thënë se nuk beson që kjo organizatë fetaro-politiko-ushtarake e ka ndërmend t’u bëjë keq shqiptarëve myslimanë të Kosovës.

“Nuk shohë kurrfarë rreziku për myslimanët e Kosovës nga kërcënimet e ISIS-it, nëse kanë kërcënuar atëherë kanë kërcënuar serbët, maqedonasit, të cilët ia duan të keqën Kosovës dhe Shqipërisë, të gjithë armiqtë e islamit por jo shqiptarët”, thotë ai në deklarata, bën të ditur Klan Kosova.

Ai ka shprehur mendimin e tij për videon ku paraqitet i ashtuquajturi Abu Muqatil (Al Kosova)teksa kërcënon.

Sipas Musës, kjo video mund të jetë një montim.

“Nuk e di a janë video të bërë nga ata (ISIS), apo janë vetëm montazhe, sot ka arritur shumë teknologjia, por nuk janë shumë të besueshme”.

Musa, por edhe katër të dyshuarit e lartpërmendur u arrestuan me 11 korrik.

Tre nga ta u kapën afër liqenit të Badovcit, ndërsa 2 të tjerë janë arrestuar gjatë ditës në lokacione tjera.

Arrestimi i tyre vjen pas kërcënimeve të ISIS, të publikuara në një dokumentar propagandistik për Ballkanin, në të cilin pjesëtarët e tij shprehin akuza dhe kërcënime ndaj jobesimtarëve në Ballkan.

Dy shqiptarët që flasin ishin identifikuar si Abu Bilqis (Al Albani), minuta dhe Abu Muqatil (Al Kosova).

“I dërgoj mesazh taghutave (*taghut – ata që i adhurojnë idhujt, por jo Allahun) të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe gjithë Ballkanit: mos mendoni se ne e kemi harruar për zullumin të cilin ju ia bani myslimanëve”, ka thënë Al Kosova”. “Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve. Vallahi do të keni frikë të ecni nëpër rrugë. Do të keni frikë të punoni nëpër zyrat e juaja. Do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në shtëpitë e juaja”

Ai ka shtuar se “do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut. Do t’ju vijmë me eksplozivë”.

/express/