Ja çfarë superpagash refuzuan tre ministrat e PDK-së

E publikuar: 30/06/2018 18:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pos Bedri Hamzës, edhe dy ministra tjerë të PDK-së në Qeveri kanë refuzuar pagën me rritje që e ka vendosur Ramush Haradinajt. Ata janë: Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë dhe Besim Beqaj, ministër i Inovacionit.
Përpos tyre, pagat me rritje nuk i kanë marrë as stafi, duke përfshirë këshilltarët politikët, asistentët dhe vozitës.

Lajmi.net merr vesh se këta tre ministra nuk i kanë dërguar listat e pagave në Ministrinë e Administratës Publike, ku më pas do të duhet të ekzekutoheshin nga thesari i Shtetit.

Është paradoksale që këta tre ministra i kanë refuzuar pagat, e jo shefi i tyre, kryeministri Haradinaj, i cilit dje i ka dalë paga me rritje prej afro 3 mijë eurosh.

Edhe pjesa tjetër e kabinetit qeveritar nga e premtja i kanë marrë superpagat e tyre me rritje, e po ashtu edhe pjesën retrokative. Kjo nënkupton se kabinetit qeveritar u janë dalë dyfish më shumë para, që nga muaji dhjetor kur edhe shefi i Qeverisë vendosi për rritjen e tyre.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 80 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro. /Lajmi.net/