Izraeli, SHBA bëjnë provë të suksesshme me sistem anti-raketa

E publikuar: 23/02/2018 10:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thonë se kanë testuar me sukses një sistem anti-raketash të ndërtuar për të mbrojtur shtetin hebraik nga sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi. Prova e suksesshme e së hënës e interceptorit të koduar me emrin Arrow 3, vjen vetëm tetë ditë pasi Irani shfaqi një version të ri të një rakete me rreze veprimi deri në një distancë prej 2,000 kilometrash që e vendos territorin izraelit brenda mundësive të një sulmi. Irani është zotuar të vazhdojë programin e tij të raketave pavarësisht thirrjeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara për të ndalur një aktivitet të tillë si pjesë e marrëveshjes bërthamore të Iranit. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Lipin, Izraeli është i përfshirë në një debat rreth asaj deri ku duhet të shkojë për të mbrojtur veten nga raketat iraniane.

Sistemi i mbrojtjes Arrow 3, që shihet këtu në qendër të Izraelit, është ndërtuar për të interceptuar raketa balistike me rreze të gjatë veprimi.

Raketa si Ghadr e Iranit, që u ekspozua kohët e fundit në një paradë në Teheran.

Në parlamentin izraelit apo Knesset, politikanët e koalicionit qeverisës dhe opozitës po bëjnë presion që marrëveshja bërthamore e Iranit të ndalojë edhe prodhimin e raketave.

Ndërsa fuqitë botërore debatojnë këtë ide, analistët izraelitë të sigurisë thonë se vendi po ndërmerr tashmë hapa për t’u mbrojtur nga raketat që mund të vijnë nga Irani.

Efraim Halevy, ish shef i Mossad-it, agjencisë izraelite të zbulimit, ka besim se Izraeli mund të përballojë çdo agresion të Iranit.

“Besoj se, përveç kësaj, nëse shpallet apo evoluon një luftë e gjithanshme, ne jemi në gjendje të godasim Iranin në një mënyrë të tillë që të mos jetë në gjendje të vazhdojë luftën”.

Por Yaakov Amidror, ish këshilltar i sigurisë kombëtare thotë se Izraeli duhet të shqyrtojë mundësinë e veprimeve parandaluese kundër Iranit – edhe nëse rrezikon nxitjen e një hakmarrje nga Hezbollahu, grupi militant libanez, aleat me Iranin.

“Logjikisht, duhet të zgjidhësh problemin me gjarpërin, duhet të kesh parasysh jo vetëm helmin e tij por tërë komandën dhe kontrollin e trurit. Truri, komanda dhe kontrolli i Hezbollahut është në Teheran, jo në Bejrut”, thotë Yaakov Amidror.

Megjithatë ideja e ndërhyrjes në Iran shqetëson themeluesin e organizatës për mbrojtjen nga raketat, Uzi Rubin. Ai paralajmëron se një lëvizje e tillë mund të destabilizojë rajonin ku kohët e fundit ka patur një bashkëpunim mes Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë.

“Kërcënimi i raketave iraniane po shkakton në fakt një reagim shumë të çuditshëm, që i bën arabët suni dhe Izraelin të bashkohen dhe krijon shumë bashkëpunim mes Izraelit dhe shteteve të tjera arabe”, thotë Uzi Rubin.

Izraeli po bën thirrje për një ndalim të pacaktuar për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Irani si pjesë e një fushate diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të forcuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

Irani thotë se programi i tij bërthamor është paqësor, raketat e tij janë mbrojtëse – dhe të panegociueshme.