Ivanov zihet ngushtë: Pritet t’ia japë mandatin Zaevit

E publikuar: 16/05/2017 07:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka filluar të japë shenja se është dorëzuar përballë shumicës së re parlamentare. Kabineti i presidentit lajmëron në mënyrë joformale mediat se po planifikon që një ditë para se të skadojë afati kushtetues prej dhjetë ditësh, t’ia japë mandatin kreut socialdemokrat Zoran Zaev.

Ivanov po shqyrton garancitë të cilat ditë më parë Zaev ia dorëzoi, ku garantohet sistemi unitar i shtetit, citojnë mediat lokale në Shkup.

Presidenti Ivanov, jashtë kompetencave të tij kushtetues, nuk ia ndau mandatin shumicës së re parlamentare me arsyetimin se e ashtuquajtura “Deklaratë e Tiranës” rrezikon Maqedoninë. Pas kësaj, vijoi presioni ndërkombëtar ndaj tij për respektim të Kushtetutës dhe të normave demokratike, transmeton gazeta Lajm.

Mesa duket ishe takimi me diplomatin e lartë nga Uashingtoni Hoyt Bryan Yee, para rreth dhjetë ditëve, ai që ia ndryshoi qëndrimin Ivanovit për mosdhënien e mandatit liderit të shumicës së re parlamentare.