Ivanov: Nuk do të votoj në referendum më 30 shtator

E publikuar: 24/09/2018 11:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka bërë të ditur se nuk do të dalë të votojë në referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë, që parasheh zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar për emrin.

Ivanov ka thënë se marrëveshja është e dëmshme për interesat kombëtare e shtetërore andaj edhe do t’i përmbahet siç ka thënë “premtimit për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas”.

“Dy herë kam marr besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshime të Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Kam marr besimin që të mos pranojë idetë dhe rekomandimet që rrezikojnë identitetin kombëtar, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën dhe modelin e bashkëjetesës. Unë nuk heq dorë nga premtimi im andaj më 30 shtator nuk do të dal të votoj”, ka deklaruar Ivanov gjatë vizitës që i ka bërë Kishës Ortodokse maqedonase në Detriot të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i shtetit ka drejtuar me këtë rast akuza të rënda ndaj partive politike që sipas tij, po shkelin vullnetin e qytetarët të cilat sipas Ivanovit nuk i kanë votuar për të punuar kundër interesave të tyre.

“Asnjë politikan nuk ka mandat të negociojë për identitetin e një populli. Shumica e qytetarëve maqedonas nuk kanë votuar për program në të cilin është paraparë ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë për të ndryshuar emrin e shtetit. Prandaj, as qeveria aktuale nuk ka marr mandat nga populli, e as nga votuesit për ndryshimin e identitetit, për heqje dorë nga diaspora, për humbjen e historisë” ka deklaruar Ivanov.

Referendumi më 30 shtator vlerësohet vendimtar për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Personalitete të larta evropiane e amerikane referendumin e kanë vlerësuar si ngjarjen më të madhe historike që nga pavarësia e Maqedonisë , më 1991, andaj edhe kanë bërë thirrje për të shfrytëzuar këtë “moment historik”.

Pas kancelares gjermane, Angela Merkel, Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, nënpresidentit amerikan, Mike Pence, mesazhe për dalje në referendum së fundi ka përcjell edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, përmes një video mesazhi drejtuar qytetarëve të Maqedonisë.