Italianët kundërpërgjigjen: Ja 7 arsye përse e mundim Gjermaninë

E publikuar: 30/06/2016 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediet italiane i janë kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë prestigjiozes gjermane “Bild”, e cila një ditë më parë dha 7 arsye përse Gjermania pritet ta fitojë çerekfinalen e së shtunës kundër Italisë.

Italianët u kujtojnë kundërshtarëve se tradita nuk duhet harruar. Në përballjet direkte zyrtare, Italia ka fituar 4 herë, ka barazuar po 4 dhe nuk ka pësuar asnjë humbje me “panzerat” gjermanë.

Arsyeja e dytë është se mbrojtja më e mirë është Bonucci-Barzagli-Chiellini. Në analizën e medieve thuhet se, Gjermania vërtet nuk ka pësuar asnjë gol, por kundërshtarët e saj nuk mund të krahasohen me Belgjikën, Suedinë apo Spanjën.

Italianët u kujtojnë gazetarëve të “Bild” vuajtjen e Mario Gomezit në Serie A gjatë 2 viteve të tij me Fiorentinën, gjë e cila e detyroi të fluturonte drejt Turqisë.

Një ndër shkaqet kryesore është edhe diferenca mes Conte dhe Low. Italianët e vlerësojnë trajnerin tyre si “lojtarin e 12”, si njeriun që transformoi një formacion dosido në një skuadër të vërtetë.

Si fakt të pestë, mediet kanë numëruar fitoret e skuadrave me fanela me ngjyrë blu, duke nisur nga Italia, Islanda apo dhe Franca, që është ende në lojë.

Një tjetër fakt apo krahasim është bërë edhe me kilometrat e përshkruara nga dy skuadrat në fushë. “Ne vërtet jemi gjyshër, – shkruajnë mediet italiane, – por deri tani në Francë kemi vrapuar më shumë se atletët gjermanë”.

Mes këtyre fakteve nuk mund të mbetej jashtë kapiteni Buffon, i cili sipas medieve italiane ka maturinë dhe eksperiencën e duhur për të karikuar skuadrën në sfida të tilla.

/ Top Channel