Italia-Shqipëria: Ja si mund të pajiseni me bileta

E publikuar: 08/02/2017 18:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punën për informimin dhe pajisjen me bileta të shqiptarëve që duan të jenë të pranishëm në ndeshjen e 24 marsit mes Kombëtares sonë dhe Italisë në stadiumin “Renzo Barbera” të Palermos.
Pas publikimit të çmimit dhe nisjes së shitjeve, institucioni i futbollit shqiptar ka bërë edhe planifikimin e shpërndarjes së 2400 biletave për duelin kualifikues të Botërorit “Rusi 2018”.

Drejtori i Zyrës së Marrëdhënieve Institucionale dhe Projekteve në Federatë, Kejdi Tomorri, sqaron tifozët për mënyrën e shpërndarjes së kuotave që Federata Italiane ka vënë në dispozicion të Shqipërisë.

“Janë rreth 2400 bileta që do të shiten nëpërmjet faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Dy javët e para këto bileta do të jenë në dispozicion vetëm për anëtarët e ‘Fun Club’-it dhe më pas shitja do të jetë e lirë”, tha Tomorri për ‘SuperSport’, duke theksuar se aplikantët duhet të përdorin të dhëna të sakta dhe të plota për të mos hasur pengesa, pasi ky është një kusht i vendosur nga homologët italianë.

Po si do të veprohet në rastin e emigrantëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe cilat janë pritshmëritë e Federatës Shqiptare për mbrëmjen e 24 marsit pikërisht nga kjo kategori.

“Në rast se shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë italiane, nuk mund të blejnë biletë për të hyrë në stadium. Në këtë rast, rruga e vetme është blerja nëpërmjet faqes së federatës”, shpjegon Tomorri.

Ai e pranon se fakti që udhëtimi drejt Palermos parashikon një apo më shumë ndalesa, mund të jetë faktor pengues për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në këtë duel. /Express/