Isufi: Nuk duhet të presim pajtimin e të gjithëve që FSK të bëhet Ushtri

E publikuar: 09/03/2017 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se shteti e ka për detyrë që të garantojë të gjithë qytetarët e vendit, sidomos minoritetet, se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës nuk kërcënon sigurinë e askujt.
Isufi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se mospajtimi i Listës Serbe dhe shtetit serb për transformimin e FSK-së në Ushtri nuk duhet të jetë pengesë për këtë ndryshim.

“Nuk janë pajtuar as me pavarësinë e Kosovës. Nuk janë pajtuar, por Kosova ka ec. Nuk mund të pritet pajtimi i gjithkujt në Kosovë”, ka thënë ai.

Duke komentuar reagimet e SHBA-së dhe të NATO-s se transformimi i FSK-së në Ushtri duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe jo vetëm me ligj, Ahmeti ka thënë se ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen pasi që qytetarët të binden se Ushtria nuk cenon sigurinë e askujt.

“Forma e angazhimit për të ndryshuar misionin mund të jetë komplikuar për shkak të ndryshimeve kushtetuese që po shihet si pengesë edhe pse nuk shoh se duhet të ketë. Kushtetutat ndryshohen në gjithë botën, nuk është as bibël as kuran. Nuk ka shtet pa Ushtri. Ajo nuk është ushtri vetëm e shqiptarëve, por e gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të garantojmë që asnjë qytetar nuk do të rrezikohet pavarësisht nga nacionaliteti dhe çdo dallim që mund të ketë në shtetin e Kosovës. E dimë që pakica serbe gëzon më shumë të drejta se çdo pakicë tjetër në rajon e Evropë. Nuk po e dëgjojmë popullin tonë e po dëgjojmë çfarë thonë të tjerët”, ka thënë ai.

Isufi ka thënë se FSK ka dëshmuar disa herë se është e trajnuar sa duhet për t’u transformuar në Ushtri dhe e meriton të jetë Ushtri.

“Kemi thënë edhe më herët se Kosova ka plotësuar kushtet që të ketë Ushtrinë e saj duke llogaritur në kapacitetet që i ka krijuar FSK-ja dhe mund të themi që angazhimet e FSK-së kanë kaluar në rutinë duke pritur që të ndodhë transformimi në Forcën e Armatosur të Kosovës”, ka thënë ai.