Isufi: AAK do ta bojkotojë Kuvendin deri në shpalljen e zgjedhjeve

E publikuar: 14/03/2016 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmeti Isufi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se ka mundësi që mënyrat e deritanishme të veprimit të ndryshojnë, por megjithëkëtë opozita vazhdon të jetë e bashkuar.

Ai ka thënë se opozita e bashkuar është duke i harmonizuar qëndrimet për atë se si do të veprojë gjatë seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se partia të cilën ai e përfaqëson do ta bojkotojë Kuvendin deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Për shtatë muaj gazi lotsjellës e ka mbajtur parlamentin e bllokuar, duke pasur parasysh që kjo Qeveri nuk ka mundur t’i realizojë planet të cilat kanë qenë në dëm të Kosovës – realizimi i dy marrëveshjeve që tashmë i konsiderojmë si të vdekura”, ka thënë Isufi.

Ai ka theksuar se ata si parti konsiderojnë se përdorimi i gazit lotsjellës e ka arritur efektin e tij, dhe se tash e tutje sipas tij, nevojitet të shtohet presioni qytetar.