Istrefi: Telekomi do të përfaqësohet në Arbitrazh nga një kompani serioze – s’do të lejojmë lëshime

E publikuar: 07/11/2019 00:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka folur në Interaktiv të KTV-së për situatën e krijuar pas padisë që Z-Mobile ka ushtruar në Arbitrazh për 13.5 milionë euro dëmshpërblim.

Istrefi thotë se kompania është në proces të përzgjedhjes së një kompanie të madhe ndërkombëtare e cila do t’i përfaqësojë interesat e Telekomit në Arbitrazh.

“Me datën 1 nëntor kemi pranuar një padi nga Z-mobile për në arbitrazh. Me datën 2 nëntor jemi mbledhur Bordi në një mbledhje të jashtëzakonshme ku i kemi diskutuar të gjitha çështjet dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në proces e sipër. Jemi në përgatitje të përzgjedhjes së një kompanie për përfaqësim, një kompani më të mirën në botë. Nuk dua të lëshohem në detaje”, tha ndër të tjera Istrefi.

Tutje ai tha se do të ketë transparencë gjatë përzgjedhjes së kompanisë përfaqësuese dhe tha se kompania ka konsultua të vazhdueshme me ekspertë të jashtëm.

“Në mbledhjen e fundit të bordit, ne vendosëm të bëjmë një përzgjedhje prej 10 kompanive më të mëdha botërore për të na përfaqësuar më së miri, dhe besoj se do të jetë një kompani jashtëzakonisht e madhe dhe serioze që do t’i mbrojë interesat e Telekomit”, tha më tej kryeshefi ekzekutiv i Telekomit.

Për pagesën, ai tha se nuk mund të paragjykohet se sa do të jetë.

Tutje, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit thotë se në procesin e tanishëm në Arbitrazh, ata do të jenë të kujdesshëm dhe nuk do të lejojnë lëshime sikurse në rastin e parë.

“Për herën e parë s’e di si ka shkuar si proces, por kësaj here do të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm. Do të tentojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të mos e humbim këtë rast”, u shpreh ai.

Bedri Istrefi ka folur edhe për periudhën e negociatave me Z-Mobilen para se rasti të dërgohej për herë të parë në Arbitrazh. Ai tha se Telekomi kishte arritur t’i ofronte një ofertë Z-Mobilet, por tha se të njëjtën ata s’ishin të interesuar ta pranonin.

Ai thotë se mirëbesimi gjatë negociatave është shkelur nga ana e Z-Mobilet.

“Nëse flasim për mirëbesim, në kohën kur kemi qenë duke negociuar me ta, Z-mobile na çon tek përmbaruesi për 25 milionë euro. Këtu ka shkelje të mirëbesimit nga ana e tyre”, tha Isdtrefi.

Më tej, ai ka folur edhe për ofertën që ia kishin propozuar Z-Mobilet për t’ua paguar borxhin prej 25 milionë eurosh.

“Kemi propozuar që të ndajmë borxhin prej 25 milionë euro, të paguajmë çdo muaj nga një pjesë. Ata s’e kanë pranuar, dhe tani jemi në proces për të parandaluar bllokimin e llogarive të kompanisë. Momentalisht nuk i kemi këto para. Edhe përmbaruesi edhe ligji në fuqi e lejojnë që në bazë të të hyrave që i ke, edhe gjykata nuk është se të krijojnë një situatë që të detyron të kryesh një pagesë me paratë për të cilat s’i kemi”, shton ai.

Konsumatorët e Z-Mobilet s’do të mbesin pa shërbime as një sekondë

Bedri Istrefi tha se shërbimet e përdoruesve të numrave të Z-Mobilet nuk do t’u ndërpriten për asnjë sekondë. Madje thotë se për ata konsumatorë do të ketë oferta shumë të mira.

“Faza e tranzicionit, e cila përfundon më 28 nëntor në ora 24:00. Migrimi do të bëhet në mënyrë automatike. Ne e kemi vendimin e ARKEP-it që thotë qartë se ia jep të drejtën Telekomit që t’i shfrytëzojë këta numra sepse janë të tyre. Numeracioni i Z-Mobile thotë se duhet t’i kalojë Telekomit të Kosovës, dhe në aspektin teknik ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi zotuar se konsumatorët e Z-Mobile nuk do të mbesin asnjë sekondë pa shërbime. U bëj ftesë konsumatorëve të Z-Mobile që pas datës 28 të vijnë sa më parë në pikat shitëse kudo në Kosovë që t’i japin të dhënat e tyre dhe të marrin kartelat e reja. Kemi oferta të mira për ta”, potencoi Istrefi.

Ai foli edhe për përfitimet financiare që do t’i ketë Telekomi me numrat e Z-Mobilet, duke thënë se përfitimet do të jenë rreth 1.2 milion euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës foli edhe për problemet me të cilat po përballen konsumatorët gjatë realizimit të thirrjeve.

“Kemi telashe në komunikim, por është problem prej tash e rreth 1 vit, por do të përmirësojmë përmes një kontrate të re me një kompani të madhe për mirëmbajtje. Situata aktuale në Telekom ka nisur më herët. Tash e 4 vjet s’kemi kontratë mirëmbajtjeje dhe si pasojë e kësaj ka ardhur deri te degradimi i shërbimeve. Arsyeja që s’kemi kontratë për mirëmbajtje ka qenë gjendja financiare e Telekomit. Ne i kemi dhënë vazhdimisht para qeverisë, nga 2008 deri më 2015 që ka qenë e fundit, madje kjo e fundit na është marrë jashtëligjshëm. Na janë marrë 15 milionë euro. Në atë kohë ka pasur edhe presione të mëdha nga qeveria që Telekomin ta fusin në kredi. Nuk më kujtohet kush ka qenë në qeveri atëherë, por ka qenë viti 2015-16. Ne kemi kërkuar që këtë dividentë të na e kthejnë, por qeveria ka refuzuar të na e kthejë atë. Unë madje kam kërkuar një garancion bankar, por as kjo s’më është aprovuar”, theksoi Istrefi.