Istogasit duan që hajnat të ndëshkohen sipas Sheriatit (Video)

E publikuar: 17/03/2016 20:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndër vite, një numri të banorëve u janë vjedhur bagëti e traktorë, e mosefikasiteti i organeve të drejtësisë në identifikimin e dënimin e fajtorëve i ka bërë bashkë në një sallë të objektit të Komunës të dëmtuarit, për të diskutuar këtë problem.

Ndër propozimet e të dëmtuarve, ka qenë që hajnave, që në disa raste edhe ishin identifikuar, t’u priten gjymtyrët, siç e parasheh ligji i Sheriatit.

Takimi ishte thirrur nga Enver Boletini, kryesues i Komitetit Lokal për Siguri Publike, të cilit gjithashtu i janë vjedhë bagëti rishtazi. Ai ka thënë se fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese dhe se banorët po ndihen të pasigurt.

Komandanti i Policisë në Istog, Enver Gashi, ka qenë i vetmi nga organet e sigurisë i pranishëm në këtë takim, pavarësisht që ishin ftuar edhe përfaqësues të gjyqësorit. Si Gashi, ashtu edhe nënkryetari i komunës, Lulzim Blakaj, kanë thënë se situata nuk është alarmante.

Nga diskutuesit, është propozuar rritja e patrullimeve nga Policia e Kosovës, në veçanti në zonat rurale, për të shkurtuar kohën e intervenimit në raste nevoje.