Ismet Beqiri i del në mbrojtje kryetarit: Isa Mustafa po do luftë? Kjo është qesharake!

E publikuar: 31/08/2018 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar Isa Mustafën, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosvës dhe Albin Kurtin, kryetar i Vetëvendosjes, duke thënë se po duan të nisin luftë me Serbinë.
“Nëse dikush dëshiron t’i shpallë luftë Serbisë, urdhëroni Albin Kurti e Isa Mustafa, hajrin ia pafshin”, ka thënë ai duke shtuar se “ndoshta ata kanë aftësi teknike e strategjike për luftë, gjë që nuk dihet publikisht”, ka thënë presidenti.

Mirëpo, këtë deklaratë të Thaçit për shefin e tij, Mystafën, nuk po i pranon sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.

Ai i ka thënë lajmi.net se kjo deklaratë është qesharake, sepse askush nga LDK nuk dëshiron luftë me askënd, por janë, siç i ka quajtur ai, deklaratat çorientuese të Thaçit për kufijtë.

“Thirrjet e tij që Isa Mustafa po do luftë dhe se mund ta bëjë këtë luftë, janë shumë qesharake, sepse qëndrimet e LDK-së nuk janë qëndrime kundër faktorit ndërkombëtarë. Është kundërta, pasi vete qëndrimet e zotit Thaçi janë qëndrime kundër vendit dhe kundër bashkësisë ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas tij: “Ditëve të fundit po vazhdon një panik i cili po vërehet te presidenti Thaçi. Kjo panik është si rezultat i veprimeve të tij çorientuese, sepse po e sheh që kjo ideja, për mendimin tonë fatkeqe, e korrigjimit të ashtuquajtur të kufjeve, është ide që nuk mund të kalojë. Kjo sepse në një anën është i vetëm presidenti dhe të gjithë në anën tjetër, ndërkohë që edhe njerëzit e subjektit të tij politikë të cilit i ka takuar ai, nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë.”

Beqiri ka thënë se të gjitha partitë politike janë kundër idesë së korrigjimit të kufijve dhe se Presidentin e ka kapur paniku që opozita ka bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.

“Mund të thuhet se të gjitha partitë politike janë kundër kësaj ideje, që për mendimin tonë është ide për copëtimin e vendit. Ndërkaq, veçmas vërehet kjo panik e tij pas kërkesës së opozitës që të kemi një seancë të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Ne e kemi thënë edhe me herët, deklaroi Beqiri, se shtatori do të jetë muaji i aktiviteteve të pengimit të këtyre veprimeve të pa pranueshme. /Lajmi.net/