Ismaili – Vetëvendosjes: Çka ndodhi që i hoqët vijat e kuqe ndaj PDK-së?

E publikuar: 06/08/2020 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i përgjithshëm, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, i është përgjigjur kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

Ai ka thënë se fillimisht VV duhet të tregojë se ku kanë mbetur vijat e kuqe të saj për PDK-në dhe çfarë ndodhi që ato tash u hoqën.

Ismaili ka rikujtuar standardet e dyfishta të VV-së, pasi në kohën e mocionit të LDK-së, kur kishte 15 të infektuar me COVID-19 në ditë, ajo kërkonte të mos rrëzohej Qeveria, ndërsa sot e bën të kundërtën, megjithëse shënohen mbi 200 të infektuar në ditë në Kosovë.

“E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në? E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës? Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një show politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë, sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngritet vetëm një herë në gjashtë muaj”, ka thënë ai.

Deklarata e plotë e Ismailit:

Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, paralajmëroi fillimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por shpresat i paska varur në Partinë Demokratike të Kosovës.

Në një moment të këtillë, kur kjo parti po kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me PDK-në, atëherë pashmangshëm shtrohen disa çështje që kërkojnë përgjigje publike.

E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në?

E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës?

Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një show politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë. Sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngritet vetëm një herë në gjashtë muaj.

Prandaj, VV duhet të tregojë se a e ka kontaktuar paraprakisht ndonjë parti politike që t’i japë formë dhe përmbajtje këtij bashkëpunimi që po kërkon nga PDK? A e mendon seriozisht rrëzimin e Qeverisë, pra sigurimin e 61 votave, apo është iniciativë vetëm për show politik?

Tema e radhës lidhet me dyshimin tonë ndaj iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje në kohë pandemie. Kur LDK nisi mocionin për Qeverinë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ankohej për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie me vetëm 15 raste infektimi në ditë.

E tani kur Kosova është ndoshta në kulmin e pandemisë, me nga 15 raste të vdekjeve dhe mbi 200 të infektuar në ditë, kjo sot nuk po i pengon Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndërmarrë iniciativën e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Pra, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të VV-së.