Ismaili: Masa disiplinore për rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf të administratës në QKUK

E publikuar: 09/08/2018 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar për masa të tjera shtesë që janë marrë ndaj personelit mjekësorë dhe stafit të administratës në QKUK, të cilët nuk e kanë respektuar orarin e punës. Bëhet fjalë për rreth 200 personel dhe staf të administratës, të cilët kanë keqpërdorur kartelat hyrëse në punë.
Ministri Ismaili ka thënë se janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Lexoni postimin e tij të plotë:

Një nga prioritetet e mia kur kam marrë detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, përveç blerjes së pajisjeve të reja mjekësore dhe rinovimit të spitaleve e klinikave, ka qenë kthimi i dinjitetit të personelit mjekësor.

Rritjen e pagave për kujdestari tashmë e kemi realizuar, ndërsa po punojmë intensivisht që t’i arrijmë rezultatet më të mira të mundshme që në Ligjin për Paga – profesionistëve tanë shëndetësorë t’u sigurojmë paga meritore.

Ky mision që kemi nisur është për të gjithë, për qytetarët dhe stafin mjekësor. Prandaj, kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e tyre.

Janë zhgënjyese ndonjëherë lajmet që vijnë nga spitalet tona, edhe pse bëhet fjalë për një numër të vogël, ku profesionistët shëndetësorë nuk e respektojnë orarin e tyre të punës.

Së fundi, në QKUK, kanë ndodhur keqpërdorime të tjera të kartelave personale për verifikimin në punë. Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës, i kanë keqpërdorur ato. Të gjithë do të sanksionohen sipas procedurave ligjore në fuqi.

Kemi nisur me QKUK-në dhe do të vazhdojmë me të gjitha institucionet tjera publike shëndetësore për rritjen e disiplinës në punë. Nuk do të ndalemi në misionin për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Bashkë mund ta bëjmë këtë.