Ismaili: Ligji për pagat duhet të korrigjojë padrejtësitë në sektorin e shëndetësisë

E publikuar: 06/07/2018 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili të premten sërish ka kërkuar prej kabinetit qeveritar adresimin e kërkesave të tij për ngritje të pagave për punëtorët shëndetësorë.
Gjatë diskutimit që është bërë për Projektligjin për Pagat, në mbledhjen e Qeverisë, Ismaili tha se ligji i ri për pagat duhet të korrigjojë padrejtësitë në sektorin e shëndetësisë, shkruan Lajmi.net.

Ai tha se pagat aktuale të mjekësve nuk janë të dinjitetshme, dhe se këtë qëndrim do ta ritheksojë derisa të ketë pabarazi.

“Shëndetësia si prioritet nacional është dhe duhet të konsiderohet politikë e të gjithëve, ndaj dhe kërkoj bashkëpunim nga të gjithë që ky qëllim të arrihet”.

“Kosova ka më së paku mjek për kokë banori në rajon. Andaj nuk do të lejoj asnjë pabarazi në trajtim të stafit shëndetësor, aq më pak të pajtohem me fenomenin e ikjes së tyre nga vendi, dhe rrezikimin që ky sektor me rëndësi nacionale të mbetet deficitar”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.

Mjekët, sipas ministrit të tyre, duhet të kenë paga që reflektojnë shkollimin e tyre dhe punët që ata i bëjnë.

“Është e papranueshme që punëtori i shëndetësisë të paguhet në formën që paguhet sot. Kanë mbetur prapa shumë me pagesë. Prandaj, do të përdorë të gjitha rrugët ligjore deri në miratimin e këtij ligji, ashtu që kërkesa ime për rritjen e pagave të reflektoj në Ligjin e ardhshëm për pagat”, tha ministri Ismaili.