Ismaili jep një lajm të rëndësishëm: Trajtimi i infarktit do të bëhet 24 orë në shtatë ditë të javës

E publikuar: 31/01/2018 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive do të nisin trajtimin e infarktit dhe stentimin emergjent, 24 orë në ditë, në shtatë ditë të javës.

Ismaili ka njoftuar se trajtimi i këtij problemi shëndetësor, ndër më të shpeshtit te qytetarët tanë, do të bëhet për herë të parë në QKUK në 24/7.

Sipas tij, duke i trajtuar rastet e tilla në çdo kohë, do të ulen shpenzimet e qytetarëve, do të ndalen dërgimet e tyre jashtë QKUK-së dhe, çfarë është më e rëndësishmja, do të përfitohet në kohë që problemet e tyre kritike të trajtohen menjëherë.

“Në takimin punues që pata me stafin e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, pas përgatitjeve që kemi bërë, puna do të nisë nga java tjetër.

Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro jashtë vendit për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Sot, qytetarët tanë do t’i trajtojmë në Kosovë, kurse paratë do t’i përdorim për modernizimin e klinikave tona”, ka thënë ndër të tjera ai.