ISIS po pushton botën me internet

E publikuar: 13/04/2015 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i rrjetit të spiunazhit britanik ka paralajmëruar se bota është në një “garë armësh teknologjike me terroristët e kalifatit islamik”.
ISIS po rekruton përdorues, me qëllim që t’i shfrytëzojë për kauzën e tyre; disa i mban si bashkëpunëtorë virtualë në distancë, ndërsa të tjerëve u bën “lavazh truri” për të emigruar në Siri.

Sipas Xhejmi Berger, i cili është bashkautori i librit “Gjendja e terrorit”, aktiviteti i synimeve çnjerëzore të ISIS në Perëndim është pjesë e qëllimeve të tyre.

Aftësia e mirë e grupit në manipulimin e mediave sociale për organizimin e rrjetit terrorist është pranuar edhe nga kundërshtarët që e luftojnë ISIS-in, të cilët shprehen se loja online e xhihadistëve është në nivele të larta, ndoshta edhe shumë herë më e sofistikuar se pushtimet që ata bëjnë në Lindjen e Mesme.

Herë pas herë, rrjete të rëndësishme perëndimore të medieve online janë sulmuar nga “hacker”-at e ISIS, ku objektivi më i fundit i tyre ishte televizioni francez “Tv5 Monde”.

Sipas autoriteteve britanike, ajo që shihet si sfidë për ta është përgatitja e ekspertëve të rrjetit për të përballuar luftën online, që xhihadistët e kanë pasur strategji të vetën që në fillim.

Por ajo që ekspertët i druhen si rreziku më i madh është se, përpos sulmeve kibernetike, apo rekrutimeve të reja nëpërmjet internetit, jo shumë larg ekziston edhe kërcënimi se “hacker”-at e mirëpërgatitur të ISIS do të fillojnë të vjedhin edhe llogari bankare, të cilat do ta fusnin botën në një kaos edhe më të madh.
/ Top Channel