ISIS dyshohet se planifikon ti helmoi banorët e Ferizajt

E publikuar: 12/07/2015 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një kërcënim serioz nga pjesëtarë të ISIS-it, ka alarmuar të gjitha institucionet e Ferizajt. Tash e gati një muaj dyshohet se ujësjellësi i qytetit është vënë në shënjestër të sulmit terrorist dhe qytetarët rrezikohen nga një helmim masiv.
Zyrtarë të kompanisë së ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj kanë treguar për Gazetën Fjala në kushte anonimiteti, se janë kërcënuar që gjatë muajit të Ramazanit mund të helmohet uji i pijes.
“Menjëherë kanë ardh policia dhe po e ruajnë fabrikën e ujit në fshatin Pleshinë edhe drejtorinë në qytet. Kanë thënë se gjatë ramazanit kanë me sulmu”, tregon ky zyrtar duke përmendur se kërcënimi vjen nga persona që organet e rendit u kanë thënë të jenë të grupit terrorist ISIS.
Këtë e pohojnë edhe punëtorët që kujdesen për pastrimin e ujit nga katër burimet të cilat i furnizojnë mbi 100 mijë banorë të kësaj komune.
Madje ata kanë kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që bashkë me organet e sigurisë të gjejnë forma për tu lejuar bartjen e armëve në vendin e punës.
“Bile të mos na gjejnë duarthatë”, thotë njëri nga ta për Gazetën Fjala.
Por, drejtori i Ujësjellësit, Faton Frangu, ende nuk ka marrë një hap të tillë.
Ai mohon të jenë paralajmëruar për ndonjë sulm terrorist mbi kompaninë që menaxhon, ndërsa prezencën e kohëpaskohshme të policisë e arsyeton si punë të zakonshme të tyre në komunikacion.
“Policia ka qenë një ditë për shkak se para drejtorisë kalon rruga nga Shtërpca dhe kanë kontrolluar veturat si zakonisht”, thotë Frangu.
Për dallim nga ai, punëtorët rrëfejnë se pjesëtarë të policisë vazhdimisht i vizitojnë ata në vend të punës dhe diskutojnë për reagimin e mundshëm.
Policia shton masat e sigurisë
Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në këtë objekt dhe në disa institucione të rëndësisë së veçantë.
Agim Gashi, zyrtar për informim i Policisë së Kosovës në Ferizaj, thotë se këto masa janë në kuadër të planeve operative të përgjithshme, por mohon të kenë marrë kërcënim specifik se do të ketë sulm në fabrikën e ujit.
Sipas tij, sikur në tërë vendin edhe në Ferizaj janë rritur masat e sigurisë së përgjithshme.
“Në kuadër të planeve operative është edhe shtimi i kontrolleve dhe vizitave në objektet me rëndësi të veçantë”, ka pohuar Gashi për Gazetën Fjala, duke mos komentuar detajet.
Një objekt i rëndësisë së veçantë është edhe kjo fabrikë nga ku furnizohen mbi 100 mijë banorë me ujë.
Në një dokument që është bërë publik nga mediet, tashmë organet e rendit në Kosovë, ngrisin alarmin se policia duhet të fillojë me rritjen e masave të sigurisë, pasi sipas informacioneve të tyre, në vend po planifikohen sulme terroriste nga pjesëtarë të ISIS.
Aty kërkohet që masat e sigurisë të rriten me theks të veçantë në afërsi të liqeneve artificiale dhe fabrikave të ujit, pasi kishin informacione, se ato mund të ishin cak i terroristëve.
“Të ngritën masat e sigurisë përgjatë liqeneve artificiale si dhe fabrikave të përpunimit të ujit që furnizojnë ujësjellësin nëpër qytete nga liqenet artificiale. Të kontaktohen personat përgjegjës të institucioneve që menaxhojnë me ujësjellësit në Kosovë në mënyrë që personat përgjegjës për siguri të jenë më të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të personave afër liqeneve dhe fabrikave të përpunimit të ujit”, thuhet në letrën rekomanduese komandës së Policisë së Kosovës për njësitë e policisë në gjithë Kosovën.
Madje të shtunën në orët e para të mëngjesit policia arrestoi tre të dyshuar si pjesëtarë të ISIS, në afërsi të liqenit të Badovcit, dhe dy të tjerë më vonë gjatë ditës, të cilët thuhet se po planifikonin sulm te ky liqe, me qëllim shkaktimin e dëmeve të mëdha, që do të reflektonin në jetën e qindra mijëra qytetarëve.
Imami alarmon për rrezikun
Ndërkaq, shqetësimi nga helmimi masiv është rritur në Ferizaj. Madje për rrezikun që ju kanoset qytetarëve kanë folur edhe prijësit fetarë.
Imami Granit Zeqiri, gjatë një ligjërate në Xhaminë e Madhe në këtë qytet ka njoftuar xhematin lidhur me angazhimin e organeve të sigurisë për të ruajtur fabrikën e ujit në fshatin Pleshinë të këtij qyteti për shkak të kërcënimeve terroriste.
Por, edhe nëse diçka e tillë ndodhë dhe terroristë hedhin helm, siç shpjegojnë mbikëqyrësit, nevojiten më pak se 60 sekonda për të ndërprerë tërë furnizimin me ujë të qytetit, nëse dyshohet në diçka.
“Makineria në mënyrë automatike na lajmëron kur rritet vlera e PH-së në ujë, që është shënjo për helmim eventual dhe ne e ndërpremë menjëherë”, tregon njëri nga punëtorët e fabrikës, derisa shpjegon arsyet përse nuk mund të futemi në hapësirat e saj.
E tërë hapësira përreth është nën mbikëqyrjen e kamerave dhe çdo lëvizje monitorohet me kujdes./Gazeta Fjala/.