A Ishte një Ministër i Kosovës për Ngushëllime te Familja e Lavdrim Muhaxherit?

E publikuar: 30/06/2017 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ditët kur opinioni kosovar reagoi ashpër ndaj lajmërimit nga xhamia e Kaçanikut për vdekjen e njërit prej drejtuesve shqiptarë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, emisioni ‘Jeta në Kosovë’ ka mësuar se një ministër i qeverisë së Kosovës, Lutfi Zharku, ka qenë për ngushëllime në familjen e Muhaxherit.

Familja Muhaxheri kishte hapur derën për ngushëllime një ditë pas lajmit për vrasjen e tij.

I ftuar në debatin e ‘Jeta në Kosovë’, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha nuki ka mundur ta konfirmojë këtë informatë.

Por ai tha se e dënon këtë akt, në rast se ministri, me origjinë nga Kaçaniku, ka vizituar familjen e Lavdrim Muhaxherit.

Valdet Hoxha, në debatin për radikalizmin fetar të moderuar nga Jeta Xharra, ka komentuar hulumtimin e KALLXO.com që thotë se ministri Zharku ka shkuar për ngushëllime tek familja e terroristit Lavdrim Muhaxheri.

Lavdrim Muhaxheri nga Kaçaniku ishte një luftëtar terrorist në radhët e organizatës të ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS).

Ai u raportua si i vdekur më 8 qershor të këtij viti, ndërkaq një ditë pas kësaj, Krye imami i BIK, Florim Neziraj lejoi njoftimin për vdekjen e tij nga xhamia dhe shkoi për ngushëllime tek familja e Muhaxherit.

Ndërkaq burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se në ngushëllime tek familja e Muhaxherit ka shkuar edhe ministri Lutfi Zharku.

Zv.Ministri i MPB-së , Valdet Hoxha tha se nuk kanë informacion zyrtar se kjo vizitë ka ndodhur por nëse konfirmohet ai dënohet ashpër nga Qeveria e Kosovës.

“Është qëndrim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është pozicionim i qartë krah koalicionin anti terror. Në qoftë se ka ndodhur është sinjal i kundërt me qëndrimin zyrtar të Qeverisë nëse konfirmohet hulumtimi juaj”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Burim Ramadani, Udhëheqës i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha se veprimi i Zharkut shkon në dëm të Republikës së Kosovës.

“Edhe në vizitën e Ministrit Zharku është më shumë se e gabuar, është veprim që shkon strategjikisht kundër Kosovës por edhe thirrja, njoftimi prej BIK un mendoj se të dyjat mund të japin një efekt të keq”, tha Ramadani.

Në këtë emision gjithashtu mund të ndiqni rrëfimin e Uta Ibrahimit për ngjitjen e saj në majën më të lartë në botë dhe dëmet me vlerë miliona euro në Kosovë.

Ministri Lutfi Zharku nuk ka qenë i qasshëm për t’u përgjigjur ndaj këtyre dyshimeve.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: