Ish-ushtaraku i UÇK’së thirrje deputetëve: Kemi dy mundësi, Specialen ose izolimin e vendit

E publikuar: 20/01/2018 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse edhe vetë ka qenë pjesë e luftës së Kosovës si Komandant i Batalionit Diverzento Vëzhgues dhe shef i shtabit i Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, Anton Quni kërkon nga ish- pjesëtarët e UÇK’së që të mos ia kenë frikën Gjykatës Speciale. Thotë se vetëm përmes saj, mund të pastrohet imazhi i atyre që luftuan. Deputeti i LDK’së, pranon se tashmë më përpjekjen për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, marrëdhëniet me vendet mike janë rënduar. Në një intervistë për Express, zyrtari i partisë së Mustafës, e bën të qartë se deputetët i kanë vetëm dy mundësi para vetës: Të pranojnë Gjykatën ose izolimin e vendit. Por vetë ai, thotë se zgjedh të parën.
GazetaExpress: Z. Quni, së fundmi jemi duke e parë një situatë të re sa i përket përpjekjeve për ta shfuqizuar Specialen. Qëndrimi i LDK’së tashmë dihet. Por si e shihni ju krejt këtë situatë, a po cënohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë?

Anton Quni: Padyshim se tani janë lëkundur marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Mendoj që është momenti që përkundër vështirësive në zhvillimet politike, ne të jemi të përqendruar në përmbushjen e premtimeve dhe obligimeve karshi partnerëve ndërkombëtarë. Te gjitha arritjet për lirinë, pavarësinë dhe demokratizimin e Kosovës janë rezultat i punës së përbashkët me partnerët tanë dhe e ardhmja e Kosovës nuk ka alternativë pa bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë me ta.

Gjykata Speciale është një zotim ndërkombëtar që shteti i Kosovës e ka marrë mbi supe dhe nëse duam te sillemi si shtet serioz atëherë kjo nuk mund të bëhet duke i shkelur zotimet tona.

Të kujtojmë që Presidentit Rugova i janë dashur vite të tëra angazhim për të krijuar aleancat me shtetet më të fuqishme të botës. Do të ishte mëkat i madh për gjithë popullin e Kosovës, nëse një pjesë e klasës politike në Kosovë me veprimet e tyre jo racionale do të dëmtonin miqësinë me SHBA dhe vendet mike të perëndimit, sepse rrugëtimin tone drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror e kemi bërë bashkë me ta, dhe jemi këtu ku jemi vetëm falë mbështetjes së tyre.

GazetaExpress: Ambasadori amerikan Greg Delawie, në vazhdën e thirrjeve për ta ndalur çështjen e Speciales, edhe njëherë i kërcënoi liderët se do të përballen me pasoja specifike. Cila është thirrja juaj në këtë rast, ndaj deputetëve që e kanë dhënë nënshkrimin e tyre mbrëmjen e 22 dhjetorit?

Anton Quni: Për të thjeshtëzuar, ne deputetët i kemi vetëm dy mundësi: Të pajtohemi me funksionalizimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara nga individët, apo të rrezikojmë izolimin e Kosovës në tërësi. Në mes te këtyre dy mundësive s’ka dyshim që unë e përzgjedh të paren.

Do ta përsërisja atë qe e kam thënë në disa raste, kushdo që beson dhe është i bindur, ashtu siç unë besoj, se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, nuk ka nevoje për asnjë lloj frike ndaj asnjë lloj gjykate. Do t’u thoja se; iniciativat e tilla vetëm sa e rendojnë situatën rreth Gjykatës Speciale dhe ne sytë e te tjerëve na bëjnë të dukemi frikacak.

Si ish- ushtarak mund të them qe nuk ka luftë pa gabime. Gabimet ndodhin edhe në formacionet ushtarake më të rregullta të mundshme, si ato të ushtrisë amerikane, gjermane apo vende tjera si këto, dhe edhe në këto raste individët mbajnë përgjegjësi individuale dhe përballen me procese gjyqësore të drejtësisë.

GazetaExpress: Konsideroni se skenari i tanishëm për këtë gjykatë është një interes personal i liderëve të vendit apo se themelimi i së njëjtës ka krijuar një padrejtësi ndaj Kosovës, pasi thuhet se do t’i hetojë vetëm krimet e pasluftës nga shqiptarët?

Anton Quni: Natyrisht se e konsideroj të padrejtë çdo gjykim që atakon vetëm shqiptarët. Por, tani jemi vonë që ta kthejmë situatën ne gjendjen zero.

Motivet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë të ndryshme. Ka te tillë që janë të motivuar nga interesi personal. Sidoqoftë, jam i bindur se shumica e udhëheqësve të UÇK-së do të mbrojnë me dinjitet vlerat e saj dhe se pretendimet për krime ndaj komunitetit serb do të vërtetohen si sajesa te pavërteta.

Çfarë mund të them sot është se, askush nuk mund të jetë as nuk do të duhej të guxonte ta konsideronte veten më të rëndësishëm se sa e ardhmja e Kosovës. Stabilitetin dhe progresin e vendit ua kemi borxh qytetareve, brezave te ardhshëm dhe gjakut të të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

GazetaExpress: Përveç zhvillimeve me Specialen, Demarkacioni mbetet njëra nga temat me të zëshme në vend, epilogu i së cilës ende nuk dihet. A do ta votojë LDK versionin për të cilin edhe pretendohet se u rrëzua Qeveria Mustafa?

Anton Quni: LDK-ja nga afër po i përcjell të gjitha zhvillimet rreth demarkacionit. Qëndrimi i grupit tonë parlamentar do të bazohet në faktet dhe argumentet relevante, gjithnjë duke e respektuar Kushtetutën e Republikës se Kosovës, interesin e qytetarëve dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët.

GazetaExpress: Qeveria Haradinaj shprehet e bindur se shpejt do të zgjidhet kjo temë problematike. Keni besim se vendi më në fund do të ketë një temë më pak për të diskutuar?

Anton Quni: Uroj që të jetë ashtu. Por zgjidhje të mirëfilltë e konsideroj që Kosovës t’i hapet perspektiva Euroatlantike. Për të siguruar këtë perspektivë duhet te punohet shumë në sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, integrimet Euroatlantike, etj.

Kemi deklarata krejtësisht të ndryshme nga partnerët e koalicionit qeverisës dhe askush nuk po arrijmë të kuptojmë se si mund t’i çojnë përpara temat e rëndësisë nacionale kur qëndrimet e partnerëve te koalicionit janë diametralisht të kundërta. Kemi një situatë absurde që nuk e besoj që ndodh në ndonjë vend normal.

GazetaExpress: Është përfolur shumë edhe çështja e liberalizimit të vizave. Kryeministri Haradinaj është zotuar se kosovarëve do ju hiqet ky regjim nëse jo në muajin mars, këtë vit gjithqysh. Ndërkohë shohim se deri te kjo situatë mund të vije vetëm pasi të kryhet edhe kushti i fundit që është demarkacioni me Malin e Zi. A mund të ndodh kjo?

Anton Quni: Kur politikëbërësit premtojnë duke u lidhur me afate, mua personalisht më krijohet përshtypja se e lexoj horoskopin, te cilit nuk i besoj fare. Mos të harrojmë se një kusht i rëndësishëm për të arritur liberalizimin e vizave është po ashtu edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim nuk mendoj se kemi shënuar ndonjë përparim, përkundrazi, një qeverisje e ngritur mbi interesat e mbi njëzet partive të ndryshme edhe me shumë e rëndon situatën.

GazetaExpress: Situatë të ngjashme kemi edhe për formimin e Ushtrisë, një proces ky që po zvarritet tash e sa kohë. Ju keni qenë edhe pjesë e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe e dini mirë nevojën që ka një shtet për ta pasur këtë forcë. Sa janë gjasat dhe kur besoni që FSK do të shndërrohet në Ushtri?

Anton Quni: Me ngjarjet e 22 dhjetorit 2017 kur u tentua te shfuqizohet Gjykata Speciale është rënduar edhe me shumë përkrahja e partnerëve në transformimin e FSK-se ne FAK. Tani na duhet më shumë përkushtim që të rehabilitohen marrëdhëniet dhe në bashkëveprim të mire dhe të sinqertë me SHBA dhe NATO-n të punohet ne ngritjen e kapaciteteve ushtarake.

GazetaExpress: LDK ka paralajmëruar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Madje ka thënë se në pranverë edhe do ta rrëzojnë pushtetin aktual. Jeni tërhequr nga këto deklarime apo qëllimin tuaj do ta çoni deri në fund?

Anton Quni: Është përgjegjësi e përhershme e LDK-së që qytetarëve të ju ofroj një qeverisje të mire. Prandaj është e natyrshme që në një moment LDK-ja do të kërkoj mocion mosbesimi. Dita D është çështje e vlerësimit përbrenda LDK-se.