Ish-presidenti kroat: Ndryshimi i kufijve mund të çojë drejt një katastrofe dhe lufte të re

E publikuar: 17/10/2018 23:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-presidenti kroat i cili njihet edhe si mik i madh i Kosovës, Stipe Mesiq, ka folur në lidhje me idenë që është shpalosur kohëve të fundit, atë të korrigjimit apo ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për “Der Standard”, Mesiq ka thënë se një ide e tillë nuk mund të konsiderohet si e mirë, ngase siç thotë ai, një gjë e tillë mund të shkaktojë një katastrofë dhe gjithashtu një luftë të re, transmeton lajmi.net.

“Kjo nuk është një ide e mirë, sepse arkitektura e Evropës është kompletuar me pavarësinë e Kosovës. Gjithçka tjetër mund të dërgojë drejt një katastrofe të re, një lufte të re. Luftërat në Evropë gjithmonë kanë filluar me arsyetimin se shtetet dëshironin t’i mbronin pakicat e tyre në vendet e tjera. Por, kjo ishte vetëm një arsye, ngase qëllimet e tyre ishin territoret”, ka thënë ai.

Sipas tij, një hapje e kufijve do të mund të ishte një ide më e mirë, ngase siç thotë ai, serbët dhe shqiptarët nuk do të brengoseshin se në cilin shtet jetojnë.

“Një francez mund të jetojë në të dy anët e kufirit falë ligjeve të njëjta dhe të barabarta. Nëse hapim kufijtë, nuk do të kishte rëndësi për një shqiptar apo serb se në cilën anë do të jetonte”, thotë ai.

Mesiq po ashtu foli edhe për të ashtuquajturit kufinjë etnik mes shqiptarëve dhe serbëve, për të cilët tha se një ide e tillë është e vjetër dhe nacionaliste.

Siç thotë ai, nacionalizimi detyrimisht dërgon në fashizëm, ideologji që sipas Mesiq duhet të ndalohet në Evropë.