Ish-ministri i shëndetësisë: Numri i të infektuarve me COVID-19 s’do të rritet, shumë qytetarë e kanë kaluar

E publikuar: 22/02/2021 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka thënë se nuk do të ketë rritje të numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, sepse sipas tij shumica e popullatës veç e kanë kaluar këtë infeksion.

Mes tjerash, ai tha se në disa vende të Evropës veçse ka filluar vaksinimi masiv kështu që situata po ndryshon edhe te ne.

“Në vijimi do të kemi në gjendje e cila në masë të madhe do të varet edhe nga gjendja epidemiologjike në shtete në rajon dhe më gjerë. Por natyrisht se kjo situatë duhet me qenë subjekt i një vrojtimi të vazhdueshëm të institucioneve të vendit dhe përcjelljen sistematike. Përfundimisht me një kujdes të shtuar lidhur me atë se çka mund të ndodhë duke pasur parasysh se në Evropë kemi të ndryshme sepse në disa shtete evropiane ka filluar edhe vaksinimi masiv kështu që situata po ndryshon dhe te ne.Duhet të jemi të vëmendshëm të përcjellim situatën sepse në masë të madhe varemi nga kjo gjendje në shtete evropiane duke marrë parasysh se afër 50% e popullatës gjendet jashtë. Besoj se nuk do të kemi rritje të numrit të rasteve duke marrë parasysh se një numër i mirë i qytetarëve të vendit e kanë kaluar këtë infeksion dhe kanë fituar një shkallë të imunitetit por nevojitet vëmendje e shtuar”, deklaroi Agani për EkonomiaOnline.

Tutje, Agani shtoi se dy valët e deritanishme kanë treguar që me menaxhimin që është bërë vendi ka arritur që t’i përgjigjet në masë të duhur trajtimit klinik për shërbime spitalore, duke shtuar se edhe vala e tretë nuk do të jetë një befasi tjetër.

“Unë mendoj se këto dy valët e deritanishme kanë treguar që me menaxhimin që është bërë vendi ka arritur që ti përgjigjet në masë të duhur trajtimit klinik atyre që kanë pasur nevojë për shërbime spitalore dhe mendoj që edhe vala e tretë nuk duhet të jetë një befasi tjetër”, tha ai.