Ish-ministri ‘E dinte kush e vrau gazetarin’

E publikuar: 25/10/2016 10:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ish-drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë tha në gjyqin e vrasësve të dyshuar të një gazetari opozitar se ish-ministri i brendshëm Dushan Mihajloviq tha se vrasësi ishte një anëtar i forcave të policisë speciale.

Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Informacionit Milorad Bracanoviq tha në Gjykatën në Beograd të hënën se ish-ministri i brendshëm Dusan Mihajloviq tha se një anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme vrau gazetarin opozitar Slavko Çuruvija në vitin 1999.

Bracanoviq tha se ministri Mihajloviq tha në një takim të krerëve të policisë dhe administratave të shërbimeve sekrete në vitin 2001 ose 2002 se anëtari i Njësisë së Operacioneve Speciale Luka Pejoviq kishte vrarë Çuruvijën.

“Mihajloviq pretendoi se kishte fakte për vrasjen e Çuruvijës dhe se vrasësi ishte Luka Pejoviq,” tha Bracanoviq.

Pejoviq u qëllua për vdekje nga një person i panjohur në Beograd në vitin 2000.

Bracanoviq shtoi se gjatë kohës që punonte për Sigurimin e Shtetit (paraardhësi i Agjencisë së Sigurimit të Informacionit) në vitin 1999 dhe 2000, ai nuk dinte asgjë për vrasjen e Çuruvijës.

“Për vrasjen e tij e mora vesh nga gazeta Ekspres Politika. Isha në Kosovë në atë kohë,” tha ai.

Çuruvija u vra në Beograd në prill 1999. Dyshohet se kjo ndodhi për shkak të kundërshtimit të tij ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas aktakuzës, një “person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish kreu i Sigurimit Serb të Shtetit e mbështeti atë, ndërsa tre të pandehurit e tjerë Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë, ndërsa Romiç ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-Presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq javën e kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Draskoviq në vitin 2000.

Çuruvija u qëllua 17 herë në vitin 1999 pas shpine para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja dhe ish-kolegët e tij besojnë se ishte e motivuar nga qëndrimi i tij opozitar.

Gazetari kritikonte hapur regjimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, duke e akuzuar atë hapur për krime lufte dhe drejtimin e një regjimi shtypës.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit kanë dëshmuar deri më tani në gjyq. Pavarësisht dëshmive të tyre të ndryshme, shumica ranë dakord që Çuruvija u vra vetëm pak minuta pasi një ekip mbikëqyrës u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Çuruvija ishte ndjekur nga Sigurimi i Shtetit gjatë të gjithë vitit 1999, duke qenë se shihej si një armik i qeverisë së Millosheviqit./kallxo.com