Ish-mbrojtësi i Romës, Marco Cassetti bëhet ndihmës trajner tek Kombëtarja e Shqipërisë

E publikuar: 07/05/2018 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë ndodhur ndryshime në stafin e Kombëtares së Shqipërisë.

Ish-mbrojtësi i Romës dhe i Kombëtares italiane, Marco Cassetti do të jetë ndihmësi i Panuccit dhe do të zëvendësojë Paolo Rodolfin, i cili do të marrë postin e vëzhguesit të talenteve.

Cassetti pritet në nis punën në fund të majit dhe do të debutojë në stolin e kuqezinjve në miqësoret e planifikuara.

40-vjeçari është një njohje e vjetër e Panuccit pasi së bashku kanë luajtur te Roma për disa vite.

Marco Cassetti . (Photo /Getty Images)

Në të kaluarën, ish-mbrojtësi ka veshur fanellën e Veronës, Lecces, Udineses, Watfordit dhe Comos.

Lajmi për emërimin e Cassettit si ndihmës trajner i Kombëtares është konfirmuar edhe nga mediat italiane.

Ish-mbrojtësi i djathtë e ka përfunduar karrierën e tij tri vite më parë te Como.

Ai ka qenë pjesë e Kombëtares A të Italisë ku ka zhvilluar pesë ndeshje zyrtare. /Telegrafi/