Ish-luftëtarit të UÇK-së, që po lufton me jetën në QKUK, i refuzohet viza gjermane për shërim jashtë vendit

E publikuar: 29/12/2018 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pesë ditë më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e vizitoi në spital ish-luftëtarin e UÇK-së Avni Hysenin, i cili prej një kohe të gjatë gjendet i shtrirë në QKUK, mirëpo dje të njëjtit i është refuzuar viza gjermane për shërim jashtë vendit.

Para pak minutash, vëllai i pacientit, Adnan Hyseni, i cili raportohet të ketë vënë në shitje gjithë pasurinë për ta shëruar Avninë, ka treguar se i është refuzuar viza gjermane në kohën kur, siç tha ai, “ti po lufton me jetën”.

“Nuk paska përjetim më të rëndë në jetë se kur një kërkesë për dërgim jashtëm vendit e që është jetike për jetë a vdekje për ty vëlla Avni Hyseni, të refuzohet nga Ambasada Gjermane në Kosovë vetëm për shkak të burokracisë së tyre. Kjo tregon se kush jemi ne në Kosovë dhe sa e vlefshme është jeta e një personi i cili nga sekonda në sekondë lufton me vdekjen”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Adnan Hyseni, raporton Koha.net.

Ndryshe, familjarët e Avniut ka kohë që janë duke kërkuar ndihmë financiare për shërimin e tij jashtë vendit.