Ish-lojtarët e Teutës në modë për Gjilanin, firmos edhe Nikac!

E publikuar: 07/01/2020 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjilani i Gentian Mezanit është i fiksuar pas ish-lojtarëve të Teutës. Pas Gerhard Prognit dhe Tomislav Busic të cilët gjatë verës u transferuan te “skifterat”, Gjilani ka bërë një tjetër goditje në merkato të dimrit teksa pas Sebino Plakut, ka zyrtarizuar edhe afrimin e sulmuesit malazez Dario Nikac.

Në eksperiencën e tij 6-mujore me Teutën, Nikac shënoi vetëm një gol duke zhgënjyer ndërsa tashmë 29-vjeçari nga Podgorica do të kërkojë të tregojë vlerat e tij në kampionatin kosovar.

Ka qenë vetë klubi i Gjilanit që e ka zyrtarizuar lajmin për afrimin e sulmuesit malazez ndërkohë që nuk bëhet e ditur, kohëzgjatja e kontratës së Nikac me skuadrën e Ipko Superligës.

Dy afrime në pak ditë për Gjilanin pikërisht në repartin e sulmit aty ku Mezani ka në dispozicion edhe emra të frikshëm si Busic, Progni e Greca që nëse u shtojmë dhe Plakun e Nikac krijojnë një repart me lojtarë të nivelit të lartë, pasi objektivi i Gjilanit në këtë sezon është titulli kampion./tch/