Ish-këshilltarja e Haradinajt “mund të paraqesë rrezik për sigurinë” e Kosovës

E publikuar: 06/07/2019 08:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inteligjenca e Kosovës e ka vënë llupën mbi Nita Himadunën, ish-këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila muajin e shkuar jashtëligjshëm është emëruar konsulle në New York. Mbështetur në informacionet e para të autoriteteve, ajo “mund të paraqesë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës”, shkruan sot Koha Ditore.

Vendimin për emërimin e saj, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka marrë më 15 maj dhe i cili ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Por vetëm ditën kur “Koha Ditore” ka shkruar se emërtimi është i jashtëligjshëm, Pacolli i është drejtuar me një shkresë drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, nëpërmjet së cilës ka kërkuar verifikimin për konsullen e re.

Shkresa mban datën 24 qershor.

“Duke pasur parasysh që në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, që nga fillimi i punës sime ka pasur ndryshime në stafin diplomatik, ju drejtohem përmes kësaj letre me kërkesën që AKI-ja, me procedurë urgjente të bëjë verifikimin e Znj. Nita Himaduna, e cila është emëruar konsulle në Misionin Konsullor të Republikës së Kosovës në Nju Jork – SHBA”, thuhet në letër. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.