Ish-këshilltari i Thaçit “shpërblehet” me 82 mijë euro

E publikuar: 27/09/2016 08:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Kulturës e ka subvencionuar pas vitit 2010 me 82 mijë euro Fadil Hysajn, ish-këshilltarin për kulturë të ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Ai para tetë vjetësh ishte “përforcimi” për çështje kulturore i Thaçit dhe sa ishte këshilltar themeloi etno-teatrin në Kukaj.

Fiks 82 mijë euro para të Ministrisë së Kulturës, kanë përfunduar në llogari të Fadil Hysajt, ish-këshilltar për kulturë i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, tani presidenti i Republikës së Kosovës.

Hysaj, 12 mijë euro i kishte përfituar në vitin 2010 si subvencion nga Ministria e Kulturës për shfaqjen “Hyjnesha në Fron”, derisa siç ka konfirmuar gazeta “Zëri”, 70 mijë euro të tjera është subvencionuar për gjashtë vjet festivali “Etno Fest” që Fadil Hysaj e organizon në pronën e tij në fshatin Kukaj.

Gjithë këto përfitime në llogari të Hysajt kanë shkuar pak vite pasi ai ishte zgjedhur këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Nuk kishte as dy vjet të plota qëkur Hysaj ishte zgjedhur këshilltar për kulturë, ai kishte hapur në fshatin Kukaj teatrin etnik. Në një prononcim për media të publikuar në maj të vitit 2010, Fadil Hysaj në cilësi të këshilltarit të kryeministrit ishte shprehur se me mjete vetjake ia ka dalë në krye ta themelojë këtë institucion.