Ish-gjykatësit Kolë Puka i vërtetohet dënimi me burg dhe konfiskimi i pasurisë milionëshe

E publikuar: 14/12/2017 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burgim ish-gjykatësit Kolë Puka.

Më 28 qershor të këtij viti, Puka ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 48 muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet.

Këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën më të madhe të tij e ka vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë.

Kështu, për veprat penale “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore”, nga neni 432 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar,” nga neni 422 i këtij kodi, si dhe veprën penale “parandalimi i pastrimit të parave dhe luftimi i pastrimit të terrorizmit”, i akuzuari është dënuar më 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 3.000(tremijë)euro gjobë.

Atij i është ndaluar ushtrimit i funksioneve në administratën publike ose në shërbim publike si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit, në kohëzgjatje prej 3 vjetëve, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara nga kryerja e veprës penale më vlerë mbi një milion euro ( 1.000.000.00 ) dhe atë, një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria (në të cilën është e ndërtuar një shtëpi) në Ulqin, të Malit të Zi, në sipërfaqe prej 308 m2, patundshmëria (livadh) po në Ulqin, në sipërfaqe prej 171 m2, , një local afarist në Klinë, një automjeti “Audi A6”, si dhe mjetet financiare nga shtija e dy lokaleve afariste.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishte paraqitur avokati i Pukës, Tahir Rrecaj, duke kërkuar nga Apeli që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Në ankesën e Rrecajt, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të ligji penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Rrecaj gjithashtu kishte thënë se i mbrojturi i tij është shpallur fajtor për “nxjerrje të paligjshme të vendimeve gjyqësore”, për dy vendime me numër 282/2005 dhe tjetri 54/2000, ku për këtë të fundit Rrecaj pretendonte se nuk është nxjerrë fare nga ish-gjyqtari Puka.

Ndryshe, procesi gjyqësor ndaj Pukës ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ishte ngritur më 29 dhjetor të vitit 2015.

Ish-gjykatësi Puka, akuzohej për nxjerrje të paligjshme të vendimeve gjyqësore, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, më 4 qershor 2008, Kolë Puka kishte nxjerr një vendim mbi kompensimin e familjes Rrustem dhe Qazim Gashi, ku kishte miratuar një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar. Familjen Gashi e kishin përfaqësuar avokatët, Lon Palushaj dhe Zef Marleku. Puka, kishte nxjerrë vendime të paligjshme duke pasur dijeni se avokatët Marleku dhe Palushaj, nuk kishin pasur asnjë kompetencë që t’i përfaqësojnë klientët e tyre në gjykatë. Ish-gjykatësi Puka, për një rast, për avokatin Palushaj, kishte miratuar një kompensim në shumën prej 56.000 euro, ndërsa për një rast tjetër avokatit Marleku, shumën prej 61.536 euro. Më pas, këto mjete ishin transferuar në xhirollogaritë bankare të avokatëve.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, gjatë viteve 2002 – 2007, Puka duke shfrytëzuar pozitën si gjykatës, kishte përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale në Klinë, për vulosjen e 19 autorizimeve për përfaqësim ligjor, përkundër faktit se personat në fjalë, nuk kishin dhënë pëlqimin e tyre. Vulosja e këtyre autorizimeve ishte bërë me qëllim që t’u jepet origjinaliteti këtyre autorizimeve, të krijohet një dosje e lëndës, e cila më pas do t’i paraqitej kompanisë së sigurimeve “Kosova në Likuidim”.

Pika 3 e aktakuzës, Pukën e ngarkon më veprën penale të pastrimit të parave. Gjatë viteve 2002 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal, dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme. Sipas aktakuzës, Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe. Në Mal të Zi, kishte blerë dy pllace. Ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament.

Në pikën 4 të aktakuzës, Puka akuzohet për shmangie nga tatimi. Gjatë viteve 2002 – 2009, sipas aktakuzës, ai nuk i kishte raportuar të dhënat në Administratën Tatimore të Kosovës, lidhur me të hyrat e tij, në 14 raste ku ai kishte falsifikuar dokumentet. Në këto raste, ai kishte bërë kërkesa të autorizuara në Kompaninë e Sigurimeve “Kosova në Likuidim”, dhe kishte pranuar fonde, për të cilat nuk kishte paguar taksa fare. Në këtë mënyrë e kishte dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 585.259 euro./betimiperdrejtesi/