Ish-futbollisti i Botafogos, Jean Carioca flet në mediat braziliane dhe zbulon Kosovën: Njerëz të qetë, pasion për futboll dhe infrastrukturë të thjeshtë

E publikuar: 23/10/2018 02:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jean Carioca është një nga gjashtë brazilianët që aktualisht luajnë në vendin tonë. Ai mbron ngjyrat e liderit të kampionatit, Feronikelit, ndërsa në një intervistë për mediumin gjigant brazilian Globoe Sporte, ai zbulon çfarë është jeta në Kosovë, vend që u pavarësua para 10 viteve.

Luajtja e futbollit në Kosovë nuk është e zakonshme, fillon shkrimi i Globoe Sporte, për njërin nga gjashtë brazilianët që kanë zgjedhur vendin tonë për të luajtur.

Nuk ka emra të mëdhenj, stadiume luksoze, e as shifra astronomike të parave që zakonisht i marrin lojtarët në ligat e mëdha të futbollit evropian.

Por ka brazilianë, si dhe pasion dhe dëshirë për t’u rritur në sporte.

Nga gjashtë lojtarët që luajnë këtu dhe e provojnë fatin e tyre, aty është edhe futbollisti i Feronikelit, lider i Superligës, Jean Carioca, ish-lojtar i Botafogos dhe Figueirenses (elita e futbollit brazilian).

Siç shkruan tutje mediumi brazilian, kohët e fundit ky vend, e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe po rindërtohet nga lufta që e kishte përfshirë në fund të viteve 1990-ta.

“Tifozët janë të pasionuar dhe ata kanë një prani të mirë në ndeshje, gjithmonë na përkrahin në shtëpi ose jashtë, bërtasin gjithë kohës, bëjnë banderola, ngazëllehen … Është një popull patriotik që e do ekipin kombëtar”, fillon rrëfimi i brazilianit për Globoe Sporte.

Lufta e Kosovës

Kosova shkoi në luftë me Jugosllavinë e atëhershme midis viteve 1998 dhe 1999.

Kosovarët shqiptarë kërkuan pavarësi – që menjëherë u refuzua nga Sllobodan Millosheviç, atëherë presidenti jugosllav.

Më shumë se 10,000 vetë vdiqën ose janë të zhdukur gjatë konflikteve. Përveç kësaj, ka dyshime se 20,000 gra janë përdhunuar nga ushtarët serbë.

Serbia është ende kundër pavarësisë së Kosovës. Kosovarët e shpallën atë pavarësinë në vitin 2008.

Serbia – ashtu si Rusia dhe Brazili – nuk e njohin, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve në Evropë.

Për shembull, nga 28 anëtarët e Bashkimit Evropian, vetëm pesë vende nuk e legjitimojnë pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia.

Edhe sot, ekziston një tension i fortë midis Serbisë dhe Kosovës, e cila në ditët e fundit ka filluar votimin për krijimin e një ushtrie kombëtare – një masë e mohuar menjëherë nga qeveria serbe.

Megjithatë, sipas futbollistit Jean Carioca, asnjë klimë pasigurie apo tensioni nuk është e dukshme në jetën e përditshme në vend.

“Këtu kalojmë mirë në rrugë, ka siguri. Ajo që perceptohet është se këtu njerëzit i nderojnë shumë ata që luftuan në luftë, kanë disa statuja për nder të këtyre njerëzve”, thotë Carioca.

Kampionati Botëror

Për shkak të luftës midis Serbisë dhe Kosovës, gjatë luftës ka pasur një eksod të madh të kosovarëve në vendet e tjera evropiane – vlerësohet se një milion njerëz janë larguar nga Kosova.

Kohët e fundit, rivaliteti midis Serbisë dhe Kosovës, ka bërë një nga rrëmujat më të diskutueshme në futboll.

Në Kampionatin Botëror në Rusi, Zvicra u përball me Serbinë në raundin e parë.

Mesfushori zviceran Xherdan Shaqiri dhe mesfushori Valon Behrami janë të natyralizuar zviceran, por kanë lindur në Kosovë.

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka – gjithashtu me origjinë shqiptare shënuan golat për Zvicrën në një fitore 2-1 dhe festuan duke e bërë simbolin shqiptar, flamurin, në nder të shqiptarëve, të cilët janë shumicë në Kosovë.

Kosova u njoh nga FIFA në vitin 2016 dhe madje mund të konkurrojë në garat zyrtare.

Kosova mori pjesë në kualifikimet evropiane për Kupën Botërore 2018, por mori vetëm një pikë në 10 ndeshje.

Kohët e fundit, Kosova fitoi ndeshjen e parë zyrtare. Në kryeqytetin e vendit, Prishtinë, kosovarët i mposhtën Ishujt Faroe 2-0 në Ligën e Kombeve.

“Futbolli këtu po vazhdon të zvarritet. Kosova ka vetëm 10 vjet pavarësi dhe është shumë e re, por mendoj se tendenca është në rritje. Sigurisht ka ende shumë për tu përmirësuar, por është sikur thashë, është shumë e re. Ata janë njohur vetëm pak kohë nga UEFA dhe FIFA”, thotë Jean Carioca.

Vendi po zhvillohet

Një nga popujt më të ri në Evropë, por një shkallë të lartë të papunësisë, Kosova konsiderohet të jetë një nga vendet më të varfra në kontinent, por ka përparuar ekonomikisht vitet e fundit, megjithëse ngadalë.

Vlerësohet se 280,000 kosovarë – pothuajse 15% e popullsisë – emigruan në vende të tjera evropiane në kërkim të mundësive, pas luftës.

Por, sipas brazilianit Jean Carioca, vendi po zhvillohet.

“Ajo që shihni janë ndërtesa të shumta dhe shtëpi, kryesisht në kryeqytet, që është Prishtina. Kjo nënkupton se vendi është në rritje. Kostoja e jetesës është e ulët, e ndërmjetme. Gjërat nuk janë aq të shtrenjta dhe mund të jetoni pa shpenzuar shumë”, deklaron mesfushori sulmues.

Futbolli vendor

Jean Carioca u kthye në Evropë nga klubi URT-MG në serinë D të futbollit brazilian.

Ai nënshkroi me KF Feronikelin pasi u ftua nga një lojtar shqiptar, me të cilën ai kishte luajtur te Kukësi, Shqipëri, kur ai ishte në mes të viteve 2015 dhe në fillim të vitit 2018.

“Në Brazil gjërat janë të komplikuara. Nëse ju nuk keni një menaxher të mirë, është e vështirë të gjeni një klub”.

“Ishte kapiteni këtu (Lapidar Lladrovci), me të cilin kisha luajtur në Shqipëri ai që më bëri propozimin që unë të vija këtu. Është e vërtetë që në fillim nuk doja të vija, sepse sapo e kam humbur babanë dhe kam dashur të jem pranë familjes sime, por më kanë përkrahur që të vij”.

“Në fund të fundit, unë kam një familje për të mbështetur dhe së bashku kemi vendosur të pranojmë propozimin dhe sfidën e re”, deklaron futbollisti brazilian.

Në Kosovë, përveç Jean janë pesë brazilianë të tjerë: Mauricio Marinho dhe Jefferson (KF Gjilani); Victor Golas (KF Trepça 89); Edenilson Bergonsi dhe Ricardo Verza (KF Drita).

Në kampionatin vendor ka vetëm 12 skuadra pjesëmarrëse.

Një nga më fortat është ajo që luan Jean Carioca. KF Feronikeli fitoi titullin në sezonet 2014/2015 dhe 2015/2016.

“Këtu stadiumet janë shumë të thjeshta, shumica janë në ndërtim e sipër. Ekziston vetëm një në kryeqytet, i cili është i strukturuar mirë. Në fakt, është stadiumi që luan Kosova. Më duket se ka një projekt për të bërë një stadium tjetër më të madh. Këtu infrastruktura është shumë themelore. Ne kemi stadium për ndeshje dhe për stërvitje kemi një fushë tjetër sintetike”.

Jean jeton në qytetin e vogël të Drenasit, një nga më të goditurit nga lufta.

Sipas brazilianit, ajo që e kapi më shumë vëmendjen e saj ishte pranimi i njerëzve lokalë dhe pritja e treguar.

“Është një qytet i vogël dhe i qetë. Zakonisht në verë çdo ditë jam shfaqur në sheshin e qytetit dhe ka një tren që kalon nëpër qytet. Këtu njerëzit janë shumë fetarë”.

“Shumica dërrmuese janë myslimanë. Pritja që kishin për mua dhe familjen time ishte ajo që më tërhoqi vëmendjen më të madhe – njerëzit janë shumë të kujdesshëm dhe të gatshëm për të ndihmuar, me gjithë ato që kanë kaluar”, përfundon intervistën e tij për Globoe Sporte, Jean Carioca. /Telegrafi/