“Ish-drejtori i AKI-së ka tentuar të hapë kasafortën në Presidencë pa dijeninë e Vjosa Osmanit”

E publikuar: 17/12/2020 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se ish-drejtori i AKI-së ka tentuar të hapë kasafortën në Presidencë pa prezencën dhe dijeninë e u.d. të presidentit, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se Kosova e ka një mëkat të mëhershëm në çështjen e gylenistëve, të cilët qenë depërtuar me thes në kokë drejt Turqisë dhe se gjëra të tilla nuk guxojnë të ndodhin.

“Nëse lexohet me kujdes raporti thuhet se sekretari permanent i presidencës i cili ka qenë edhe ish-drejtori i Agjencisë për Inteligjencë e ka thirr AKI-në dhe ka tentuar të hapë kasafortën pa prezencën e Osmanit dhe kërkesën e saj”, ka thënë Rexhaj në Interaktiv.

Rexhaj ka shtuar se institucionet nuk duhet të bien pre e gjërave që e dëmtojnë imazhin e AKI-së që është jetik dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Faza e cila vjen pas ditës së nesërme, ku ne si komision me kompetencat që i kemi të tentojmë t’i analizojmë gjetjet tona se cilat janë arsyet dhe shkakun e pohimeve të Osmanit. Në këtë çështje objektive mund të kolaudohet se çfarë thotë ish-drejtori i AKI-së. Unë mendoj që drejtori duhet ta ketë një arsye pse po ndodhë kjo dhe duhet të ketë përgjegjësi pse po ndodhë kjo”, ka thënë Rexhaj i cili është edhe anëtarë i Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së.

Rexhaj ka thënë se duhet të ketë përgjegjës institucionale çështja e tentimit të hapjes së kasafortës. Ai ka thënë se nuk bën të ndodhë si me rastin e depërtimit të shtetasve turq.

“Në fakt unë mund të flas në aspektin subjektiv se çfarë mendoj. Në këtë çështjen objektive mund të them se kjo mund të konkludohet pas një bisede të gjerë e gjatë me të, pas asaj se çfarë deklaron ai. Meqenëse ka qenë i pranishëm dikush nga AKI-ja aty, edhe meqenëse ka provuar të hapet kasaforta. Mendoj se drejtori do të duhet të ketë një arsye, pse ka ndodhur kjo. Megjithatë në mesin e kësaj pune, duhet të ketë edhe përgjegjësi institucionale. Qoftë në AKI, qoftë në presidencë. Sepse ju e dini se kjo kasaforta e sigurisë, nuk mund të hapet në asnjë mënyrë pa urdhëresën e presidentit, e në këtë rast rolin e presidentit e ka Vjosa Osmani. Dorën në zemër kjo kasafortë përmban një grumbull dokumentesh, ndër të tjera janë edhe këto raportimet ditore të cilat i bën Agjencia në dy rrafshe, edhe ndaj presidentit edhe ndaj kryeministrit. Mendoj që në këtë mes, Komisioni i jonë me një analizë objektive dhe normalisht me punë institucionale, do të mundohemi ta zbardhim këtë çështje e të mos lejojmë të ndodhë një gjë e dytë e tillë, përafërsisht e njëjtë siç ka ndodhur me depërtimin e shtetasve turq”, ka thënë Rexhaj.