Ish-drejtoresha e akuzuar pyet a është Kodi Penal i njëjtë

E publikuar: 01/05/2018 10:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-drejtoresha e akuzuar në lidhje me mbindërtimin në Drenas pyeti a është i njëjtë Kodi Penal në Prishtinë dhe Drenas.

Në rastin e zyrtarëve të Drenasit në lidhje me një mbindërtim në këtë komunë, rast ky i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në cilësi të të akuzuarës është dëgjuar ish-drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Hyrije Xhemajlaj- Thaçi, e cila ka dhënë mbrojtjen para trupit gjykues.

Gjykata e shkallës së parë Hyrije Xhemajlaj- Thaçin e kishte dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i kishte shqiptuar burgim me kusht prej 1 viti.

Gjatë dhënies së mbrojtjes e akuzuara duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të saj, Gazmend Halilaj tregoi se nga kush ishte njoftuar për mbindërtimin në Komunën e Drenasit dhe se çka kishte ndërmarrë ajo si drejtoreshë e Drejtorisë së Inspektimit në mënyrë që të ndalohej ky ndërtim.

Për ndërtimin pa leje tha se ishte njoftuar nga shefi i Drejtorisë së inspektoratit Halim Vrellaku.

Për shkak të problemeve në bllokun ku ndodhi mbindërtimi dhe shqetësimeve të banorëve si pasojë e gjendjes jo të mirë të nënkulmeve sidomos të kateve të larta të cilat kanë qenë pothuajse të pabanuara, e akuzuara tha se banorët e këtij blloku i kishin njoftuar të gjitha institucionet në Komunën e Drenasit.

Arsyeja e fillimit të ndërtimit pa leje tha se erdhi për shkak të neglizhencës së Drejtorisë së Urbanizmit e cila edhe pse u kishte premtuar banorëve të bllokut V dhënien e pëlqimit për renovimin e nënkulmit, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Për këtë problem, shqetësimin e qytetarëve të bllokut V në Drenas, kanë qenë të njoftuar të gjitha instancat në Komunën e Drenasit për shkak se ka qenë një shqetësim i banorëve, katet e larta kanë qenë pothuajse të pabanuara fare”, deklaroi e akuzuara.

Madje ajo tha se përfaqësuesi i banorëve Musli Ademi kishte bërë edhe kërkesë me shkrim në Drejtorinë e Urbanizmit duke kërkuar që të pajiseshin me leje për ndërtim, e për këtë të fundit tha se banorëve u kishte thënë se shumë shpejt do të i pajiste me leje ndërtimi.

Por pasi që banorët nuk ishin pajisur me leje ndërtimi edhe përkundër faktit se inspektori e kishte vendosur shiritin zyrtar, banorët nuk e kishin përfillur duke i vazhduar punimet.

Ish—drejtoresha e akuzuar tha se pas këtij zhvillimi kishte kërkuar që t’i bëhet kallëzim penal punëkryesit të mbindërtimit,

“E kam takuar avokatin e komunës dhe kam kërkuar që punëkryesit nga blloku nr.V të i bëjë kallëzim penal dhe kjo gjë ka ndodhur nga inspektori Halim Vrellaku kam kërkuar që të gjithë dokumentet të ia dërgoj avokatit”, tha e akuzuara.

Ajo deklaroi se punimet kanë vazhduar edhe pasi nuk ishte më drejtoreshë e Inspektoratit.

“Pasi që ka qenë kohë e dimrit ato punime nuk kanë përfunduar dhe ato punime kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur unë nuk kam qenë drejtoreshë e asaj drejtorie. Pas kallëzimit penal që e ka bërë avokati i komunës në Gjykatën Komunale në Drenas, është zhvilluar proces gjyqësor për ndërtuesin, falë kallëzimit penal që unë e kam iniciuar me kohë”, shtoi ajo.

E akuzuara e komentoi edhe vendimin e Gjykatës në Drenas që pas procesit gjyqësor e shpalli të pafajshëm përfaqësuesit e firmës “Elta”, për të cili tha se e kishte hequr shiritin zyrtar.

“A është i njëjtë Kodi Penal si në Drenas si në Prishtinë, unë nuk po e kam të qartë përderisa e dimë se përfaqësuesi i firmës ‘Elta’, është shpallë i pafajshëm por unë akuzohem”, tha ish-drejtoresha e Drejtorisë së inspeksionit.

Ajo tha se nga pozicioni i saj nuk ka mundur të ndërmarrë masa të tjera ngase vendimin për rrënim është i obliguar ta ndërmarrë inspektori i ndërtimit dhe se ajo në asnjë rast gjatë udhëheqjes së kësaj drejtorie nuk ka lëshuar vendime për rrënim.

Në fund ish-drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit tha se gjatë mandatit të saj në këtë drejtori punën e saj e ka kryer me përgjegjësi të plotë dhe obligim, prandaj asnjëherë nuk e ka menduar që do të jetë pjesë e një procesi gjyqësor pikërisht në këtë çështje.

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe biznesmeni Izet Kukaj, të cilin Gjykata e kishte liruar nga aktakuza, si dhe Musli Ademi, banor i këtij kompleksi për të cilin prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V në Drenas pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nën kulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1.800 metra katrorë.

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit./Kallxo.com/