Ish-anëtari i Bordit të RTK-së synon punësimin në institucionin që e mbikëqyri në dy mandate

E publikuar: 03/12/2018 08:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm tre muaj pasi ka përfunduar mandatin e dytë të anëtarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Ismet Bexheti i ka hyrë garës për pozitën – bashkëpunëtor i muzikës, në këtë institucion.

Kjo është hera e dytë që ai ia ka mësyrë kësaj pozite. Në fillim të gushtit, ende pa i skaduar mandati i anëtarit të Bordit, ai kishte aplikuar për këtë pozitë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Konkursi i parë ishte anuluar nga RTK-ja, edhe pse procedurat ishin drejt përfundimit dhe se komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve tashmë e kishte bërë listën e ngushtë, në të cilën ishte edhe Ismet Bexheti.

Burime të gazetës brenda këtij institucioni kanë bërë të ditur se konkursi ishte anuluar, pasi Bexheti ishte ende anëtar i Bordit dhe se RTK-ja i kishte kërkuar Agjencisë Kundër Korrupsionit që t’i sqarojë nëse është konflikt interesi zgjedhja e tij në këtë pozitë.

Megjithatë, dy muaj më pas RTK-ja ka hapur sërish konkursin për dy pozita – bashkëpunëtorë të muzikës. Edhe në këtë konkurs ka aplikuar Ismet Bexheti, tani si ish-anëtar i Bordit të RTK-së. Ai më 26 nëntor i është nënshtruar testit me shkrim.