Ish-ambasadori holandez në Kosovë godet Vuçiqin për vrasjen e Ivanoviqit

E publikuar: 17/01/2018 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare serbe, Oliver Ivanoviq, kanë reaguar edhe Ish-ambasadorët e Kosovës.

Ish-ambasadori i i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, përmes një postimi në Facebook ka goditur Presidentin e Serbisë, duke i thënë se reagimet e tyre janë fallco.

“Ju lutem mos derdhni lot krokodili Zotëri Vuçiq, duhet të pajtoheni me faktin se Policia e Kosovës tani është në gjendje që të krijojë rregulla të reja dhe ligje në veri të Kosovës”, shtoi Bosch.

Bosch gjithashtu ka thënë se Ivanoviq ka qenë i vetmi person që kishte guxim të sfidonte sistemin partiak të instaluar nga Vuçiqi në Kosovë.

Ish-ambasadori holandez, shpreson thellë që FBI të ndihmojë në zbardhjen e rastit, andaj thotë se është i gëzuar që organet e rendit po instalojnë ligjin në veri të Kosovës.

Ky është shkrimi i plotë i Bosch në Facebook:

Oliveri është i vdekur, njëri nga të vetmit që guxoi të sfidonte sistemin një partiak të instaluar nga Vuçiq përmes Listës Serbe në Kosovë.

Ju lutem, Zotëri Vuçiq, mos derdhni lot krokodili, duhet të pajtoheni me faktin se Policia e Kosovës tani është në gjendje që të krijojë rregulla të reja dhe ligje në veri të Kosovës.

SHBA-të paralajmërua për trazira dhe incidente gjatë javës së kaluar. Shpresojë thellë që FBI të ndihmojë në zbardhjen e rastit.

Oliver Ivanoviq, politikani serb nga Kosova i dyshuar për krime lufte të kryera kundër civilëve shqiptar, së fundi kundërshtar i Qeverisë Serbe, të udhëhequr nga Vuçiq, u vra të martën mbrëma.

Ivanoviq, që konsiderohet si njëri ndër politikanët më të përkrahur dhe më të votuar që nga paslufta në Kosovë, u qëllua për vdekje nga atentatorë të paidentifikuar deri më tani afër zyrës së tij në Mitrovicën Veriore.

Vrasja e Ivanoviq ka thelluar krizën në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Delegacioni serb ka anuluar vazhdimin e dialogut, që pritej të vazhdonte të martën pas një viti pauzë. Në anën tjetër autoritetet në Kosovë kanë premtuar që do të hedhin dritë mbi këtë vrasje dhe të gjejnë e autorëve të këtij krimi.