Isa Mustafa thotë se arrestimi i Haki Rugovës mund të ketë prapavijë politike

E publikuar: 11/10/2020 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në një konferencë për media, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me arrestimin e nënkryetarit të kësaj partie, Haki Rugova.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka bërë të ditur se pas 48 orëve në paraburgim, gjykata sot ka vendosur që ta ndërpresë paraburgimin ndaj Rugovës dhe ai do të mbrohet në liri.

“Sipas deklaratave të prokurorisë dhe policisë së Kosovës kemi kuptuar se zoti Rugova është arrestuar si i dyshuar për konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare siç thonë ata. Pas 48 orëve në paraburgim, gjykata sot ka vendosur që ta ndërpresë paraburgimin për të dhe ai do të mbrohet në liri… LDK gjithherë e ka përkrahur drejtësinë e pavarur që ajo të zbatohet çdo kujt, por të zbatohet sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”, tha Mustafa.

Sipas tij, në rastin e Haki Rugovës, arrestimi dhe mbajtja në arrest është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe ai në emër të LDK-së ka kërkuar që për këtë rast të zhvillohet sa më shpejt procesi gjyqësor dhe të vërtetohet baza e akuzave.

“Nëse procesi zvarritet, ne konsiderojmë se arrestimi i tij si kryetar i Komunës dhe nënkryetar i LDK-së është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe LDK-në, e cila sot po mundohet të bëjë përpjekjet më të mëdha për ta qeverisur vendin. Arrestimi nga policia dhe prokuroria është kryer në ditën kur në parlament është diskutuar 100 ditshi i qeverisë, sepse është një qeveri pa afera korruptive dhe dyshojmë se me këtë po tentohet të njolloset pastërtia e kësaj qeverie”, është shprehur Mustafa.

Për më tepër, Mustafa ka bërë të ditur se LDK do t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar se mbi cilat baza ligjore, policia dhe prokuroria kanë arrestuar kryetarin e Istogut. Ai ndërkaq tha se rasti Rugova do të trajtohet nga Prokuroria Speciale.

“LDK kërkon që prokuroria dhe policia të qëndrojnë larg politikës. Nëse prokurori apo prokurorja e merr rolin e diktimit të zgjedhjeve në Istog, e nesër në Pejë apo diku tjetër, sepse është e lidhur me ndonjë parti politike, atëherë rrezikohet demokracia në vend dhe humb sensi i zgjedhjeve të lira e demokratike në vend. Jam njoftuar nga avokati i Rugovës që rasti i tij të trajtohet nga Prokuroria Speciale dhe kjo e fundit ta marrë këtë lëndë, sepse kemi besim të plotë se ajo do ta kryejë punën në bazë të ligjit”, tha Mustafa.

Ndërsa avokati i nënkryetarit të LDK-së, Besnik Berisha ka thënë se shqetësimi që e ka paraqitur në Gjykatën e Themelore, sot në Pejë, që nënkryetari i kësaj partie është aty, jo pse ka bërë krim, por për qëllime të disa individëve.

Berisha ka treguar se ftesa për nënkryetarin Rugova ishte shkruar gjatë vozitjes, dhe për një orë e gjysmë e kanë paraqitur në Prishtinë.