Isa Mustafa pret në shtëpi presidentin Meta, dialogu dhe kufijtë temë e diskutimeve

E publikuar: 20/09/2018 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa sot është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën. Këtë e ka bërë të ditur vetë Mustafa, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kanë biseduar për pikëpamjet e LDK’së për dialogun e Kosovës me Serbinë si dhe për temën e ndryshimit të kufijve.
Mustafa ka thënë se i ka prezantuar Presidentit Meta pikëpamjet e LDK’së se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se ky dialog duhet të vazhdojë me institucione që kanë legjitimitet, ndërsa e tërë kjo mund ntë ndodh pas zgjedhjeve të reja në vend.

“Presidentit Meta i prezantova pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se dialogu duhet të vazhdoj me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se në këtë takim me Metën kanë biseduar edhe për ndryshimin e kufijve, çështje e cila sipas Mustafës është e papranueshme dhe e rrezikshme.

“I ri konfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihapë temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Po ashtu, Mustafa ka shdrytëzuar këtë takim për të iu falenderuar Metës për interesimin e tij të vazhdueshëm në procesin e rehabilitimit të tij shëndetësor./Express/