Isa Mustafa për PSD-në: Si nuk e shohin vetën në pasqyrë – objektivisht janë në pozitë

E publikuar: 20/03/2019 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Partia Socialdemokrate, është objektivisht në pozitë pasi që sipas tij deputetët e saj po bashkëpunojnë me Qeverinë.

“Ata [PSD] po bëjnë një propagandë të ulët. Si nuk e shohin vetën në pasqyrë. Nuk mund të bashkëpunosh me Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit dhe të thuash se dua t’i rrëzojë”, ka thënë Mustafa, njofton Klan Kosova.

Ai duke folur për krijimin e numrave për rrëzimin e Qeverisë me Kryeministër Ramush Haradinajn ka thënë se janë duke punuar, porse për të PSD duhet të deklarohet a është pro apo kundër kësaj.

“Të flasin, sepse kjo na nevojitet edhe neve. Nëse mendojnë se kjo Qeveri bën punë të mira, vetëm të na thonë argumentet dhe ne themi se e kemi gabim. Kemi një qeverisje dhe koalicion që është shumë i dëmshëm dhe rrezikshëm për të ardhmen e vendit”.

Sa i përket Ligjin për Dialogun të propozuar nga partia që drejton Shpend Ahmeti, Mustafa ka thënë se ai është skandaloz.

“Për këtë arsye edhe e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse mendojnë se është shkelur Kushtetuta”.