Isa Boletini-nderi i kombit shqiptar

E publikuar: 10/06/2015 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Flamur Shala 10 qershor 2015
Në shenjë nderimi për heroin kombëtar, manifestimi për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit është respekti më i madh që po i bëhet njërit ndër shqiptarët më emblematikë, që bëri historinë e pavarësisë së Shqipërisë, që tërë jetën e tij ishte në shërbim të kombit dhe për lirinë e vendit. Manifestimi i sotëm, 99 vjet pas rënies së tij, shënon dashurinë dhe heroizmin, respektin dhe nderimin, përpjekjet dhe sakrificën e të gjithë shqiptarëve, të cilët me kontributin e tyre të parreshtur u bënë pjesë e bëmave dhe të akteve të historisë më të re të tyre. Po nderohet Isa Boletini, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi pavarësisë dhe lirisë së Shqipërisë.
Sot e dje u nderuan nga qytetarët e Republikës së Kosovës, u nderuan në Prizren në shtëpinë e Lidhjes, u nderuan në Prekaz te Kulla e Adem Jasharit. Aty në mes të dëshmorëve të kombit, u nderuan bashkë Isa e Ademi, vigajt e historisë së re të kombit shqiptar. Ata i bashkoi amaneti për Shqipërinë e lirë e të pavarur. Si luftëtarë të paepur, heronj e dëshmorë, i bashkoi amaneti i brezave e i gjeneratave, në kohë të ndryshme. Ashtu si sot, historia i bën bashkë të gjithë ata që dëshmuan me sakrificën më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Nuk kishte ndryshe si t’i vinin orët e fundit të jetës së tij. Në përpjekje për të qenë afër vendit të tij, i cili po digjej në flakë nga pushtuesi serb, në pabesi të madhe historike, aty në Ribnicë të Podgoricës, po e bënte betejën e fundit të jetës së tij, për të lënë varrin në cep të tokës shqiptare, për të lindur përsëri, për ta kujtuar përgjithmonë. Po shpirti i tij fluturoi në qiell, në qiellin shqiptar gjithandej, 99 vjet deri më sot, për t’u kthyer i qetë, me lavdi heroizmi mbi eshtrat e mbi varrin e tij, bashkë me ne, bashkë me nderimin shtetëror gjithshqiptar, në Boletin, në Kullën e tij. Sot baca Isë po kthehet për të qenë mes nesh përherë, kudo, ashtu si deri më tani, në këngë e në vargje, motiv lufte e lirie, shembëlltyrë dëshmie për çlirim e bashkim kombëtar.
Sot, e mërkurë,10 qershor 2015, Isa Boletini kthehet në Kullën e tij, në konakun e tij të madh prej kulle boletini. Si dikur, ai kaloi kodrat, malet e shtigjet, pas një rruge të gjatë historie, përpjekjesh, sakrifice, kuvende burrash, betejash e luftrash, pas një rruge jo të shkurtër amshimi. Shpirti i tij fluturon gjithandej dhe rri ndër ne, bashkë me ata që e kujtuan, u frymëzuan për jetë e mot, që sot ta nderojnë jetën dhe shpirtin e tij, ta nderojnë jetën dhe veprën e tij prej atdhetari të përjetshëm.
Ai po i bashkon sot edhe një herë, në një kuvend të madh, po i bashkon breza e gjenerata, bij e bija pasardhësish të nënave e burrave, të atyre që po i shkonin në krah Isës, dekada e vite rresht, për të mbrojtur qenien, për t’u dalë zot kullave, bedenave, fushave e maleve, atyre tokave që i lanë amanet të parët, për të mbrojtur kombin. Për t’u dalë zot porosive të Isa Boletinit, gjithandej, “aty ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë, aty asht Shqipnija”.
Vetëm një burrë i madh i kombit, një general, një hero i përmasave kombëtare me nam evropian, pas 99 vjetëve i bashkon të gjithë shqiptarët, jug e veri, si përreth flamurit të përbashkuar. Vetëm një heroi si Isa, që përvijon e bën historinë, në rrugëtimin e tij të gjatë, nuk iu ndal kurrë ora e historisë, as për së gjalli as në amshim, por shpirti i tij përherë mbajti dhe po mban në këmbë, betuar në flamur e mbi varr heronjsh, pasardhësit e tij, bij e bija, nipa e mbesa, të gjithë kombin për të ardhmen e tij të ndritur, ashtu siç e deshi ai vetë.
Isa Boletini e deshi Shqipërinë të lirë, të pavarur. I deshi të jetojnë të lirë njerëzit e tij. E deshi kullën dhe kroin me ujë burimi rrëzë. Tërë jetën e tij ia kushtoi Shqipnisë.
Isa Boletini po kthehet në vatrën e tij shekullore ashtu siç ishte, me titullin hero i përmasave historike me emër dhe mbiemër: Hero vigan i kombit shqiptar.
Boletini nga sot është një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët! Aty e gjejmë Isën përherë. Sa herë që do të vejmë, me një puthje në flamur do të kthejmë! Kështu na mësoi ISA!