Iranianët në dilemë – Uashingtoni shqyrton marrëveshjen bërthamore

E publikuar: 07/05/2018 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në rrugët e kryeqytetit iranian, çdo ditë duket se sjell gjithnjë e më shumë shqetësime e frikë përpara vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump nëse do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore. Qendrat tregtare tashmë qëndrojnë bosh dhe njerëzit po i kursejnë paratë. Të tjerët flasin hapur për largimin nga vendi.

Disa banorë fajësojnë Presidentin amerikan Trump, të tjerë kritikojnë hapur qeverinë e presidentit Hassan Rouhani, si dhe korrupsionin qeveritar që ka ushqyer problemet që kanë përfshirë Iranin.

“Nuk është mirë që gjithmonë të fajësojmë të tjerët, Amerikën dhe Trumpin për problemet tona, besoj se rrënjët e problemeve tona ndodhen brenda vendit. Nëse jemi të fortë brenda, askush nuk mund të na godasë nga jashtë. Por fatkeqësisht problemet tona lindin nga sistemi i brendshëm”, thotë Ali Forouzi, 33 vjeç, inxhinier.

Të tjerë vlerësojnë rolin e presidentit Rouhani, për heqjen e sanksioneve ekonomike që e mbytën Iranin lidhur me programin e tij bërthamor. Megjithatë sot, pak mund të sjellin si shembull ndonjë përfitim nga marrëveshja bërthamore e 2015.

“Ne fituam shpresë kur u nënshkrua marrëveshja, por nuk kemi ndjerë ende ndonjë efekt të dukshëm. Irani e pranoi marrëveshjen dhe e zbatoi plotësisht atë, por në këmbim nuk morëm një përgjigje pozitive nga ana tjetër. Nuk kemi ndjerë ndonjë ndikim të veçantë, sidomos në ekonominë tonë apo jetën tonë. Është njësoj sikur një marrëveshje e tillë nuk ekziston. Ajo çka po shohim është mungesa e angazhimit nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes”, thotë Shadi Gholami, 25 me profesion arkitekt

Ndërkohë që marrëveshja bërthamore i mundësonte Iranit shitjen e naftës bruto dhe gazit natyror në tregun ndërkombëtar, ajo nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së papunësisë së lartë, veçanërisht tek të rinjtë, në vendin me 80 milionë banorë. Bankat janë të mbingarkuara me kredi të këqija që nga koha e sanksioneve.

Problem mbetet edhe korrupsioni qeveritar.

“Problemet tona ekonomike nuk kanë të bëjnë aspak me marrëveshjen apo me Trumpin. Problemi ynë janë zyrtarët tanë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre. Nëse do të mendonin mendonin për njerëzit dhe jo vetëm për fitimet e tyre, populli ynë nuk do të kishte problemet që ka sot”, thotë Ladan Shiri, 33 vjeç, menaxhere e shitjeve për një kompani.

Presidenti Trump ka qenë një figurë kontroverse në Iran jo vetëm lidhur me kritikat të tij ndaj marrëveshjes bërthamore. Megjithëse SHBA janë shtëpia e shumë iranianëve, zoti Trump e përfshiu Iranin në vendimin e tij për të ndaluar udhëtimet nga ky vend. Iranianët gjithashtu e kanë kritikuar atë për cilësimin e Gjirit Persik si “Gjiri arab”.

“Nëse Trump tërhiqet nga marrëveshja, do t’i tregojë shumë mirë botës dhe njerëzve tanë se sa e pabesë është Amerika ndaj traktateve të saj dhe e vërteta do të zbulohet”, thotë Forouzi.

Iranianët gjithnjë e më shumë flasin për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë.

“Shpesh mendoj se nëse dua të jetoj një jetë më të mirë duhet të largohem nga Irani. Ky mendim më përndjek gjithnjë”, thotë Gholami.