Iraku ndërmerr betejën e fundit për eliminimin e ISIS-it

E publikuar: 23/11/2017 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Iraku nisi sot në shkretëtirën perëndimore të vendit operacionin e fundit ushtarak për të eliminuar xhepat e fundit ku janë strehuar xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik (ISIS).

“Ushtria, policia federale dhe forcat paraushtarake të Hachd al-Chaabi nisën sot në mëngjes një operacion të gjerë për të pastruar rajonin e AlJaziras që shtrihet në provincat e Salaheddine, Ninive dhe Al-Anbar”, pohoi gjenerali Abdelamir Yarallah, kreu i operacioneve të Komandës së Përbashkët të Operacioneve (JOC).

Sipas ekspertëve, kjo zonë përfaqëson 4,0 për qind të territorit, ose rreth 7 000 kilometra katrore.

Në një deklaratë, Hachd al-Chaabi njoftoi se faza e parë e operacionit për çlirimin e këtij rajoni në provincat Salaheddine, Ninive dhe al-Anbar, deri në kufi me Sirinë, ka qenë mjaft e ashpër.

“Ofensiva, e mbështetur nga aviacioni irakian, i kryesuar me ushtrinë dhe policinë federale nisi nga tre akse”, shtoi Hachd.

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi njoftoi të martën se nuk dëshironte të njoftonte disfatën e ISIS-it para spastrimit të xhepave xhihadistë që ndodhen në zona shkretëtira të vendit./Syri.net/